Një grua 31-vjeçare ka humbur jetën pasi u sulmua nga një aligator gjigant teksa po notonte me partnerin e saj në lumin Econlockhatchee, në Pyllin Shtetëror Little Big Econ në Florida, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik në Shtetet e Bashkuara.
Viktima, Brittany Clark, ndodhej në zonë për një shëtitje në natyrë së bashku me partnerin e saj, Chance Allison. Sipas autoriteteve, çifti vendosi të ndalonte për të notuar në ujërat e cekëta, kur një aligator rreth 3.7 metra i gjatë doli papritur nga uji dhe e sulmoi 31-vjeçaren.
Zëdhënës të Komisionit për Ruajtjen e Peshqve dhe Jetës së Egër të Floridës thanë se gruaja u kafshua rëndë në të dyja duart.
Partneri i saj u përpoq me dëshpërim ta shpëtonte, duke luftuar me aligatorin dhe duke arritur t’i çlironte njërën dorë nga nofullat e kafshës. Megjithatë, aligatori sulmoi sërish, duke i kapur dorën tjetër dhe duke i shkaktuar plagë fatale.

Telefonata dramatike në numrin e emergjencës 911 ka zbuluar momentet e ankthit pas sulmit. Dëshmitarët raportuan se njëri krah i viktimës ishte shkëputur plotësisht, ndërsa tjetri ishte pothuajse i këputur.
“Situata është shumë e rëndë. Ajo po humbet shumë gjak, ju lutem nxitoni”, dëgjohet të thotë një person gjatë telefonatës me shërbimet e emergjencës.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve mjekësore, Brittany Clark ndërroi jetë nga plagët e rënda gjatë transportimit drejt spitalit.
Pas incidentit, autoritetet lokalizuan aligatorin, e vranë dhe i hoqën kokën, e cila do të përdoret si provë në hetimin që po zhvillohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Sipas mediave amerikane, 31-vjeçarja ishte e apasionuar pas natyrës dhe aktiviteteve në ambient të hapur. Ajo kishte punuar për vite si operatore buldozeri dhe në kohën e lirë merrte pjesë në festivale dhe aktivitete muzikore.







