Vërshëllima finale e arbitrit nuk solli vetëm festën e çmendur të Spanjës dhe fundin e ëndrrës së Portugalisë, por u pasua nga një prej momenteve më prekëse dhe më historike në historinë e Kupës së Botës.
Me të mbyllur ndeshja, i vetëdijshëm se kjo ishte “vallja e tij e fundit” në këtë kompeticion dhe se nuk do ta prekte kurrë atë trofe, Cristiano Ronaldo nuk ka arritur t’i mbajë dot emocionet. Legjenda e futbollit botëror ka shpërthyer në lot menjëherë në mes të fushës, i ulur në gjunjë, në një moment që ka thyer zemrat e miliona fansave anembanë globit.
Por, teksa lojtarët e Spanjës po festonin kualifikimin e madh në çerekfinale, ka qenë pikërisht djaloshi i artë i “Furisë së Kuqe”, Lamine Yamal, ai që ka dhuruar imazhin e vitit.
Në vend që të vazhdonte festën me shokët e skuadrës, 18-vjeçari spanjoll është shkëputur dhe ka shkuar drejt e te Cristiano Ronaldo. Yamal e ka kapur nga supet dhe e ka përqafuar ngrohtësisht legjendën, duke i pëshpëritur disa fjalë ngushëllimi në vesh dhe duke treguar një respekt të jashtëzakonshëm për njeriun që ka shkruar historinë e këtij sporti.
Ky moment po cilësohet nga mediat ndërkombëtare si “përqafimi i dy epokave” — ku legjenda që po largohet mes lotësh takon djaloshin që po merr në dorë frenat e futbollit botëror. Një imazh i pastër i “Fair Play-it” dhe klasit të lartë, që tregon se përtej rivalitetit të egër në fushë, futbolli mbetet lojë emocionesh të mëdha.







