HomeAktualitetQeveria zgjeron ndihmën juridike falas, më shumë kategori përfituese, mbulim më i...

Qeveria zgjeron ndihmën juridike falas, më shumë kategori përfituese, mbulim më i gjerë i kostove

Advertismentspot_img

Qeveria shqiptare po propozon zgjerim më të madh të skemës së ndihmës juridike falas që nga miratimi i ligjit në vitin 2017, duke shtuar kategoritë e qytetarëve që do të përfitojnë mbështetje ligjore dhe duke rritur shpenzimet që do të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Sipas projektligjit të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, ndihma juridike do të shtrihet edhe për viktimat e terrorizmit, viktimat e krimit dhe familjarët e tyre, personat që kërkojnë njohjen e statusit të aftësisë së kufizuar, përfituesit e ndihmës ekonomike dhe pensionit social, si edhe anëtarët e komuniteteve rome dhe egjiptiane për çështje të dokumentacionit civil. Në listë përfshihen gjithashtu edhe sinjalizuesit që raportojnë shkelje të legjislacionit të Bashkimit Evropian.

Ndryshimet synojnë të rrisin aksesin në drejtësi për grupet më vulnerabël dhe të harmonizojnë legjislacionin shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së viktimave dhe sinjalizuesve.  Projektligji zgjeron edhe mbështetjen financiare që ofrohet nga shteti. Përveç tarifave gjyqësore, buxheti do të mbulojë edhe një sërë kostosh që deri tani kanë mbetur barrë për qytetarët, si tarifat kadastrale, noteriale, pagesat për ekspertët dhe shpenzime të tjera të domosdoshme gjatë ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.

Qeveria argumenton se praktika ka treguar se shumë përfitues të ndihmës juridike nuk kanë mundur të realizojnë në praktikë të drejtat e fituara në gjykatë për shkak të kostove shtesë që lindin në fazën e ekzekutimit të vendimeve.

Paketa parashikon gjithashtu lehtësimin e procedurave për marrjen e ndihmës juridike. Për shërbimin parësor do të mjaftojë vetëdeklarimi dhe dokumenti i identitetit, ndërsa dokumentacioni shtesë do të kërkohet vetëm në rastet kur ka dyshime për vërtetësinë e deklarimeve. Për viktimat e dhunës, të miturit dhe rastet emergjente krijohet një procedurë e përshpejtuar për caktimin e menjëhershëm të avokatit.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është forcimi i rolit të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, e cila do të ketë të drejtën të ankimojë vendimet gjyqësore që i konsideron në kundërshtim me kriteret ligjore ose abuzive, në një përpjekje për të balancuar zgjerimin e skemës me kontrollin mbi fondet publike.

Projektligji është pjesë e programit legjislativ të vitit 2026 dhe synon të forcojë aksesin në drejtësi, ndërsa zgjerimi i kategorive përfituese dhe i kostove të mbuluara pritet të rrisë edhe angazhimin financiar të shtetit për skemën e ndihmës juridike.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular