HomeAktualitetTropoja e transformuar falë gjurmës “Rexh Byberi”, drejtuesit vendor të zotë, mikut...

Tropoja e transformuar falë gjurmës “Rexh Byberi”, drejtuesit vendor të zotë, mikut të gazetarëve

Advertismentspot_img

Nga Mina HYSA
Tropoja, që nga vendasit njihet me emrin Malësia e Gjakovës, me 8 njësitë administrative, përfshi edhe Bajram Currin, është një krahinë me histori të shkruar e zezë mbi të bardhë; me data, ngjarje dhe personalitete me kontribut për vendin. Është një zonë malore, pjesë përbërëse e Alpeve Shqiptare, ku hapësirën më të madhe të sipërfaqes së rrethit e zënë malet e larta që mbajnë kokën lart, me “sytë” poshtë duke “vëzhguar” dhe u “kujdesur” për fushat e mëdha rrëzë tyre. Krahina është e pasur me lumenj, liqene dhe mjaft burime të tjera ujore, minerare, bimë mjekësore etj. Zoti i ka “qëndisur” aq mirë bukuritë e Tropojës, saqë mendoj se edhe piktorët dhe skulptorët deri më tani kanë dështuar për t’i realizuar siç në fakt janë.

Të flasësh sot për Tropojën, për zhvillimin që ka njohur zona përgjatë viteve, është mjaft e lehtë, e kjo ka ndodhur falë drejtimit të mirë vendor, vizionit për të kthyer vëmendjen te çdo sektor i mundshëm, ku çdo banor të ketë mundësinë të prekë nga afër efektet e politikave vendore apo qendrore, kur ato janë në të mirë të krahinës.

Një emër që ka bërë shumë punë, e pa diskutim mban firmën dhe vulën e ndryshimeve rrënjësore të Tropojës, është kryetari aktual i Bashkisë, Rexh Byberi, siç unë e them ndër kolegë: i vetmi tropojan që ka bërë karrierë në vendlindje. Gjithë aktivitetin e tij, karrierën, jetën, e ka vënë në dispozicion të bashkëqytetarëve.  Çdo ditë me ta, i përshëndet, u jep dorën, i pret në zyrë, i dëgjon për nevojat e tyre dhe u jep zgjidhje brenda mundësive të institucionit bashki, e pse jo, përkushtohet duke u interesuar edhe në institucione të tjera që çdo kërkesë e tyre të gjejë zgjidhje në rrugë ligjore, duke mos hasur në burokraci. Për të, qytetari është i pari.

Personalisht, si gazetar, jam dëshmitar i punës së mirë të Rexh Byberit, e jo vetëm unë, por me qindra kolegë të medias së shkruar, online dhe audiovizive nga Tirana. Kemi pasqyruar në kronika e reportazhe bukuritë e Valbonës dhe më gjerë, krahinës, si dhe kemi përcjellë punët e mira që janë kryer. Kur them se Rexh Byberi e do shumë Tropojën dhe ka lënë gjurmë të mirë në historikun e ndryshimeve, kam parasysh atë që ai ka bërë si drejtues.

Ka jetuar dhe jeton çdo ditë me pasionin për të bërë më të mirën për vendlindjen, duke pasur ide dhe duke mundësuar projekte zhvillimore në shumë fusha; pse jo, është kujdesur t’u bëjë edhe publicitetin pa bujë, pa harxhuar miliona që shpeshherë nuk sjellin asgjë, por me mikpritjen që e karakterizon atë dhe çdo tropojan, siç thuhet në malësi: me bukë, kripë e zemër të bardhë.

Kontaktin e parë me të e kam pasur në muajin mars 2012. Arsyeja e atij takimi me Rexh Byberin ishte për arsye pune, për krahinën e Tropojës. Segmente të medias u binin shumë borive për pasigurinë, si pasojë e një konflikti të ndodhur para disa vitesh dhe vendasit, por edhe të huajt, merrnin informacion të gabuar për çfarë po ndodhte, pasi situata ishte krejt tjetër.

Zoti Byberi, në atë kohë, ishte kryetar i Komunës së Margegajt, që përfshinte edhe Valbonën dhe bukuritë e tjera përkrah saj. Bujtinat e para ishin ngritur me sakrificë nga vendasit, infrastruktura ishte ende e paplotë, sepse rruga nuk ishte asfaltuar, por turistët mungonin më shumë për shkak të lajmeve të pavërteta që mediat në Tiranë përçonin.

Falë njohjes nga një mik i përbashkët, kisha lënë takim me Rexhën dhe ulem në një prej bareve pranë parkut “Rinia”. Ishte i shqetësuar për fluksin e paktë të turistëve në luginën e Valbonës dhe më kërkon nëse mund të organizoja një takim me gazetarët në Valbonë, për të sjellë më pas në Tiranë e më gjerë të vërtetën e asaj çfarë po ndodhte në Tropojë. Në sytë e kryekomunarit në atë kohë shihej padurimi për ndryshimin sa më shpejt të situatës, më saktë i pasqyrimit të realitetit dhe jo i publicitetit fals.

“Vetëm të vërtetat shkruani, pa asnjë lloj ndikimi”, – më tha Rexh Byberi, duke premtuar se do të krijohej infrastruktura e nevojshme që ne të ndiheshim si në shtëpi.

Pasi sigurova transportin me drejtues mjeti Skënder Rexhajn, nisa të telefonoja kolegët. Telefonatat ishin të shumta, ashtu si edhe refuzimet, por ajo që nuk më erdhi mirë ishte se edhe gazetarët mosardhjen e lidhnin me pasigurinë. Aty pashë çfarë dëmi i kishte bërë Tropojës media, teksa raportoheshin vetëm kronika vrasjesh dhe përplasjesh dhe shpreha keqardhje. Furgoni 17-vendësh nuk u mbush; bashkë me operatorët mundëm të bëheshim vetëm 14 veta emra të rëndësishëm të medias. Ditën e nisjes, në kryeqytet binte shi, ndërsa në Tropojë stuhi bore.

Kryekomunari Rexh Byberi dhe nënprefekti Nuredin Ahmetaj ishin kujdesur dhe na siguruan se rrugët do të ishin të hapura. Mikpritja ishte tipike malësore, por edhe shtetërore, e nisur nga komuna, ku me shiritin e të zgjedhurit vendor na priti z. Byberi me stafin dhe, pas informacioneve të para, vazhduam rrugën për t’u akomoduar te Fusha e Gjesë.

Të nesërmen në mëngjes, para syve tanë u shfaq një peizazh që na mahniti: ishte një mrekulli e natyrës, një diell vere, por dëbora deri në 2 metra e zona e veshur me vellon e bardhë të saj. Po, në sytë e kolegëve pati edhe lot, për çfarë patën mundësinë të shihnin e shijonin dhe kishin mundësinë më pas për ta pasqyruar në mediat e tyre, por jo si detyrim. I shoqëruar nga z. Byberi, lëvizëm ndër bujtina duke u njohur nga afër me investimin dhe shërbimin që ofrohej në to, për t’u kthyer më pas në kryeqytet.

Në ditët në vijim, gazetat me artikujt, televizionet me kronikat, sikurse edhe mediat online, do të sillnin për qytetarët në Tiranë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, detaje për luginën e Valbonës, përtej bukurive natyrore që i ka falur natyra. E vërteta e terrenit do të shkonte në shtëpitë e të gjithëve si një thirrje: Shkoni në Tropojë, sepse do të shijoni një udhëtim fantastik.

Personalisht, më është dashur të ndihem mirë teksa kronikat transmetoheshin nga kolegët dhe sytë e klientëve në baret e restorantet e Tiranës largoheshin nga filxhani i kafesë apo pjata para tyre në ato pak minuta, për të ndjekur me kureshtje informimet përmes kronikave dhe reportazheve dhe ishin të mahnitur teksa diskutonin mes tyre se si dhe kur mund të shkonin.

Përtej çfarë ka ndodhur më vonë, ky ishte investimi dhe shërbimi më i mirë dhe më i zgjuar që Rexh Byberi, i zgjedhuri vendor, kryetar i Komunës Margegaj në atë kohë, kishte bërë për krahinën dhe komunitetin e gjithë Tropojës. Ishte një marketing falas për bukuritë e Valbonës dhe jo vetëm për to, por edhe për sigurinë, kulinarinë e zonës me ushqimin fantastik, si dhe komunikimin e ngrohtë të banorëve që turistët mund ta gjenin jo vetëm te operatorët turistikë, por edhe te banorët e zonës së Dragobisë dhe zonave përreth.

Përtej kësaj, kolegët erdhën nga Tropoja drejt Tiranës me përshtypjet më të mira dhe padurimin për t’u rikthyer sërish, edhe me familjarët dhe të afërmit e tyre.

Përtej publicitetit në aspektin turistik, Rexh Byberi, përmes gazetarëve, mundi të sillte në Tiranë, Shqipëri dhe diasporë, ku gjenden bashkëqytetarët tanë, të vërtetën e trashëguar ndër breza se në Tropojë, shtëpia është e Zotit dhe e mikut dhe nuk bëhej fjalë për mungesë sigurie.

Përtej radhëve të hedhura profesionalisht, kolegët, në bisedime informale në redaksitë e tyre dhe në përditshmërinë në terren, kishin mundur të përçonin fjalët më të mira për çfarë kishin parë dhe si ishin pritur. Rrjedhimisht, gazetarët që më kishin refuzuar, si dhe të tjerë, më telefonuan se ishin gati të vinin në udhëtimin tjetër të punës, nëse do të kishte sërish, ndaj duhej t’i planifikoja. Çfarë ndryshimi perceptimi në vetëm pak ditë!

Ishte një ndryshim rrënjësor i të menduarit rreth situatës në Tropojë, i mundësuar në kohë rekord, e kjo falë fuqisë së medias kur përdor mikrofonin e penën për mirë dhe sigurisht falë interesimit, këmbënguljes dhe dashamirësisë së kryekomunarit të Margegajt, Rexh Byberi, që ka meritën kryesore.

Nga ajo ditë, Rexh Byberi do të ishte mik i gazetarëve. Ftesat nuk do të mungonin në çdo çelje të sezonit turistik dhe ai do t’i kishte krah për çdo nevojë për të përcjellë tek autoritetet e pushtetit qendror kërkesat për zonën, si dhe të rejat rreth luginës së Valbonës. Janë me qindra gazetarë dhe drejtues mediash që e kanë shkelur Valbonën dhe Tropojën, në mënyrë të organizuar institucionalisht apo edhe privatisht, duke lënë gjurmën e tyre në zhvillimin e zonës përmes përcjelljes së imazhit të mirë me shkrime, kronika, foto apo qoftë edhe një status familjar.

Këmbëngulja e kryekomunarit të Margegajt do të ishte edhe për përfundimin e investimit të rrugës së Valbonës, e cila nuk u mbyll deri në vitin 2013 dhe trokitja e Rexh Byberit në institucione, si dhe zëri i tij i fortë në media mundësuan që ai aks rrugor të asfaltohej dhe t’u krijohej komoditet turistëve deri në skajin fundor ku shërbehet në hoteleri.

Përgjatë mandateve si kryekomunar, z. Byberi ka mundur të jetë një shërbëtor i mirë ndaj atyre që e kishin votuar ose jo dhe të njëjtën sjellje e pati edhe në detyrat e tjera që ka mbajtur deri ditën kur radha i erdhi të ishte kryebashkiak i Tropojës.

Nga qershori i vitit 2019, Rexh Byberi është kryetar i Bashkisë së Tropojës. I është dashur të jetë një kujdestar përtej një krahine apo njësie administrative. Ai ka ditur më së miri të jetë një menaxher i shkëlqyer, duke e kthyer Bashkinë Tropojë në shtëpinë e dytë të qytetarëve, aty ku kanë trokitur pa drojë dhe e kanë gjetur gjithmonë hapur.

Rexha i ka trajtuar qytetarët të barabartë, pa dallim feje apo bindjesh politike; për të, primare ka qenë Tropoja dhe, si qytetar i saj, me bashkëqytetarët është sjellë si vëllai me vëllain. Rexh Byberi nuk është një kryebashkiak “karrigeje”; ai vendin e punës, të besuar nga vota e bashkëqytetarëve, e sheh të lidhur ngushtë me nevojat e tyre.

Gjendet kudo, kujdeset për çdo detaj që gjërat të shkojnë më së miri në Bashkinë Tropojë. Brenda mundësive financiare, është munduar që investime të ketë kudo: në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, arsimore, ujësjellës-kanalizimeve, ujitjes, sektorit të bujqësisë, mbështetjen e investimeve private, të rinjve, sportit, kulturës dhe, veçmas, në një prej fushave ku Tropoja po konkurron bindshëm falë punës së tij – turizmin.

Me energjinë që e karakterizon, z. Byberi gjendet në krye të punëve, duke qenë vigjilent që edhe shërbimi ndaj qytetarëve nga administrata të jetë ekselent dhe t’u përgjigjet nevojave qytetare.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular