Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët lidhur me procesin e rregullimit të pagave të magjistratëve, duke theksuar se nga data 1 gusht 2026 ka hyrë në fuqi mekanizmi i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Shoqatat kujtojnë se Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 15, datë 17 shkurt 2026, shfuqizoi ndryshimet ligjore që, sipas saj, cenonin statusin financiar të magjistratëve përmes një uljeje të fshehur të pagës, ndërsa i la Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për të miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore.
Sipas deklaratës, Kuvendi nuk e përmbushi këtë detyrim brenda afatit të përcaktuar. Për pasojë, duke nisur nga 1 gushti 2026, zbatohet automatikisht formula e përllogaritjes së pagave sipas funksionarit të administratës së lartë publike, në përputhje me vendimin nr. 35/2022 të Gjykatës Kushtetuese.
“Pavarësisht afatit të përcaktuar, nga ana e Kuvendit nuk u miratuan ndryshimet ligjore të nevojshme. Për rrjedhojë, duke filluar nga data 01.08.2026, zbatohet mekanizmi i përcaktuar nga vetë Gjykata Kushtetuese, sipas formulës së referuar në vendimin nr. 35/2022, me efekt edhe për periudhën 01.04.2023–31.07.2026.
Shoqatat e magjistratëve mbeten të vendosura për të kërkuar zbatimin e plotë dhe korrekt të vendimit nr. 15/2026. Ky proces nuk lidhet vetëm me respektimin e të drejtave të magjistratëve, por mbi të gjitha me respektimin e Kushtetutës dhe të vendimeve përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese. Zbatimi i tyre është një detyrim për çdo institucion dhe një garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës”, thuhet ne reagim.

DEKLARATË E PËRBASHKËT
Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në mbrojtje të statusit të magjistratit dhe standardeve kushtetuese, kanë ndjekur me përgjegjësi procesin lidhur me rregullimin e pagave të magjistratëve.
Pas kërkesës së paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit, me vendimin nr. 15, datë 17.02.2026, shfuqizoi ndryshimet ligjore që cenonin statusin financiar të magjistratëve përmes një uljeje të fshehur të pagës dhe përcaktoi kriteret për miratimin e një rregullimi të ri.
Gjykata Kushtetuese detyroi Kuvendin të miratonte ndryshimet përkatëse deri më 31.07.2026 dhe përcaktoi se, në rast mosveprimi, do të zbatohej formula e përllogaritjes së pagave sipas funksionarit të administratës së lartë publike, referuar vendimit nr. 35/2022.
Pavarësisht afatit të përcaktuar, nga ana e Kuvendit nuk u miratuan ndryshimet ligjore të nevojshme. Për rrjedhojë, duke filluar nga data 01.08.2026, zbatohet mekanizmi i përcaktuar nga vetë Gjykata Kushtetuese, sipas formulës së referuar në vendimin nr. 35/2022, me efekt edhe për periudhën 01.04.2023–31.07.2026.
Shoqatat e magjistratëve mbeten të vendosura për të kërkuar zbatimin e plotë dhe korrekt të vendimit nr. 15/2026. Ky proces nuk lidhet vetëm me respektimin e të drejtave të magjistratëve, por mbi të gjitha me respektimin e Kushtetutës dhe të vendimeve përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese. Zbatimi i tyre është një detyrim për çdo institucion dhe një garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës.
Shoqatat tona mbeten të angazhuara për të ndjekur zbatimin e këtij vendimi dhe rikonfirmojnë gatishmërinë për të kontribuar në mënyrë konstruktive në këtë proces.







