Bashkëshortja dhe djali i Urim Fikut, të arrestuar si të dyshuar për vrasjen e 61-vjeçarit në fshatin Godvi të Bulqizës, kanë mohuar përfshirjen në ngjarjen e rëndë.
Gjatë seancës gjyqësore që po zhvillohet në Gjykatën e Dibrës për caktimin e masës së sigurisë, 57-vjeçarja dhe djali i saj 33-vjeçar kanë deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me krimin.
“Nuk e vramë ne, nuk kemi lidhje me ngjarjen”, mësohet të kenë deklaruar ata përpara gjykatës.
Dy familjarët u arrestuan më 4 nëntor, një ditë pas ngjarjes së rëndë të regjistruar në fshatin Godvi, ku 61-vjeçari Urim Fiku u gjet i pajetë. Fillimisht, familjarët kishin pretenduar se viktima ishte sulmuar nga një ari, pasi ai kishte dalë në zonën malore për të kullotur bagëtitë.
Por kjo pistë u rrëzua pas ekzaminimeve mjekoligjore. Ekspertiza zbuloi një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në pjesën e kraharorit, ndërsa në trupin e viktimës u konstatuan edhe dëmtime në kokë, të cilat ngritën dyshime të tjera mbi mënyrën se si kishte humbur jetën.
Hetimet e kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, çuan në arrestimin e bashkëshortes dhe djalit të viktimës, të dyshuar për kryerjen e vrasjes në bashkëpunim.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, dyshohet se 61-vjeçari është vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse. Gjatë veprimeve hetimore, autoritetet sekuestruan një pistoletë të modelit 54, së bashku me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete të gjetur në oborrin e banesës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.







