Të paktën 14 persona kanë humbur jetën dhe 22 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi masiv të Rusisë me raketa balistike dhe dronë ndaj Ukrainës, në një nga goditjet më vdekjeprurëse të këtij viti në rajonin e Kievit.
Sulmi nisi pas mesnatës së së mërkurës. Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, deklaroi se “armiku po sulmon sërish masivisht rajonin e Kievit”.
Alarmet ajrore qëndruan aktive për më shumë se një orë, ndërsa valë raketash balistike goditën kryeqytetin dhe zonat përreth. Sipas autoriteteve ukrainase, sulmet shkaktuan dëme të mëdha në ndërtesa banimi dhe magazina.
Tkachenko bëri të ditur se nëntë persona humbën jetën në distriktin Boryspil, katër në distriktin Bucha dhe një në distriktin Fastiv.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se objektiv i sulmeve ishin qendrat logjistike dhe depot e furnizimit në Kiev dhe zonat përreth. Sipas Moskës, këto objekte përdoreshin për magazinimin dhe shpërndarjen e armëve, pajisjeve ushtarake dhe prodhimin e dronëve.
Po ashtu, Rusia pretendoi se ka goditur edhe tre anije mallrash pranë portit të Odesës në Detin e Zi, duke i akuzuar se transportonin armë dhe pajisje ushtarake.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se ekziston frika se persona të tjerë mund të jenë të bllokuar nën rrënoja pas goditjeve në qendër të qytetit.







