Një incident shqetësues në Agia Pelagia të Kretës ka vënë në lëvizje autoritetet greke, të cilat janë në kërkim të një turisti të huaj, rreth 60-65 vjeç, pas një ngjarjeje të ndodhur më 31 korrik.
Sipas mediave greke, incidenti është regjistruar nga kamerat e sigurisë së një biznesi turistik. Në ambientin ku ndodhi ngjarja ndodhej edhe një vajzë 10-vjeçare, e cila në atë moment ishte ulur dhe po lexonte një libër.
Sipas dëshmive të bëra publike, burri iu afrua një gruaje që punonte në biznes dhe, duke treguar në drejtim të vajzës, e pyeti: “Sa?”. Gjesti dhe mënyra se si ai shoqëroi fjalët, sipas dëshmitarëve, u interpretuan si një propozim seksual dhe financiar ndaj fëmijës.
Gruaja reagoi menjëherë e indinjuar dhe e pyeti se çfarë po thoshte. Sipas raportimeve, burri më pas bëri një propozim të ngjashëm edhe ndaj saj.
Pronari i biznesit deklaroi për televizionin grek MEGA se turisti kishte pyetur se sa para duhej të paguante për të “blerë vajzën e vogël”.
Pas reagimit të punonjëses, e cila e paralajmëroi se do të telefononte policinë, turisti u largua menjëherë nga vendi.
Policia mbërriti më pas në hotelin ku dyshohej se qëndronte, por personi ishte larguar tashmë. Autoritetet greke vijojnë përpjekjet për identifikimin dhe gjetjen e tij.
Sipas burimeve policore, turisti nuk ka pasur kontakt apo komunikim të drejtpërdrejtë me vajzën 10-vjeçare. Megjithatë, autoritetet e konsiderojnë rastin shqetësues dhe po hetojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes.
Mediat greke kanë publikuar gjithashtu versione të ndryshme lidhur me qëndrimin e familjes dhe nëse do të ndiqet apo jo çështja në rrugë ligjore.
Hetimet për identifikimin e turistit dhe vendndodhjen e tij vijojnë.







