Korça është tronditur pasditen e sotme nga vrasja e 20-vjeçarit Johan Zuko, ish-efektiv i Forcave të Armatosura.
Zv.drejtori i Hetimit të Krimeve, drejtues Sejfulla Metko, ka bërë me dije se mes të riut dhe autorit të dyshuar të vrasjes kishte një konflikt të hershëm. Sipas tij, dy të rinjtë njiheshin prej fëmijërisë dhe kishin qenë shokë.
“Rreth orës 16:30, në lagjen 15 në qytetin e Korçës, kemi marrë një njoftim për një ngjarje kriminale. Konflikti ka qenë midis dy grupe personash, ndërsa si rezultat ngjarja ka agravuar me një viktimë, shtetasin me inicialet J.Z. Kemi një person të dyshuar dhe kemi vënë forcat në ndjekje. Në një moment të dytë do të kemi një informacion më të saktë në lidhje me autorët”, deklaroi Metko.
Sipas tij, konflikti kishte nisur rreth orës 16:00, në një zonë pranë vendit ku ndodhi ngjarja, dhe më pas kishte precipituar pranë banesës së viktimës, ku është përdorur edhe arma e zjarrit.
“Konflikti ka ndodhur rreth orës 16:00, në një lagje në afërsi të vendit të ngjarjes, dhe më pas ka precipituar në afërsi të banesës së viktimës, ku kemi pasur përdorimin e armës së zjarrit. Më pas, rreth 15 minuta më vonë, autori është parë nga dëshmitarë okularë duke u larguar në drejtim të varrezave. Jemi në ndjekje të tij dhe më pas do të japim një informacion më të saktë për autorësinë”, u shpreh zv.drejtori i Hetimit të Krimeve.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit të dyshuar.







