HomeOP EDGabimet e rënda të Zelenskit dhe qëndrimi stoik i Polonisë/Nga Bujar Leskaj

Gabimet e rënda të Zelenskit dhe qëndrimi stoik i Polonisë/Nga Bujar Leskaj

Advertismentspot_img

Nga Bujar Leskaj

Marrëdhënia mes Polonisë dhe Ukrainës është një nga ato marrëdhënie që nuk mund të përkufizohen thjesht me fjalët “aleatë” apo “fqinj”. Përfaqëson një raport shumë të komplikuar. Ka brenda kujtesën e një të kaluare të dhimbshme, interesat ekonomike, politikën e brendshme dhe, mbi të gjitha, bindjen se siguria dhe ekzistenca e njërit vend lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe ekzistencën e tjetrit.

  1. Polonia: aleati më i qëndrueshëm i Ukrainës në Evropë

Pas 24 shkurtit 2022, ditës së invazionit ushtarak të Rusisë së Putinit në Ukrainë, Polonia ishte ndër vendet që qëndroi më fuqishëm pranë Ukrainës. Hapi kufijtë për refugjatët, vuri në dispozicion territorin e saj si korridor jetik për ndihmën perëndimore, sidomos të SHBA-ve.

Polonia i dha armë, ndihmë ekonomike dhe kapital politik Ukrainës. Në shumë kryeqytete evropiane kishte shumë hezitim për të ndihmuar. Tek qeveria dhe populli polak nuk kishte fare.

Polonia e kuptoi që në fillim atë që disa vende të tjera evropiane e pranuan më vonë: lufta në Ukrainë nuk ishte vetëm lufta e Ukrainës. Rezultati i saj do të përcaktonte për vite të tëra arkitekturën e sigurisë në Evropën Lindore dhe, në mënyrë të veçantë, sigurinë e vetë Polonisë.

Pikërisht për këtë arsye, mosmarrëveshjet që pasuan mes të dyja vendeve u perceptuan fort në Varshavë.

Pritshmëria polake ishte e kuptueshme: një vend që kishte bërë kaq shumë për Ukrainën priste që presidenti i këtij vendi të tregonte një ndjeshmëri të veçantë ndaj interesave të popullit polak, shqetësimeve të tij dhe historisë së Polonisë.


II. Gruri: një problem ekonomik që Zelenski e lexoi tejet politikisht

Përplasja për produktet bujqësore ishte ndoshta sinjali i parë serioz se periudha e solidaritetit pa kushte kishte përfunduar.

Lufta ndryshoi rrugët tradicionale të eksporteve ukrainase. Bashkimi Evropian hapi tregjet dhe korridoret e tij për produktet e Ukrainës, një vendim i kuptueshëm në kushtet e agresionit rus.
Por një pjesë e prodhimit ukrainas nuk kaloi thjesht tranzit përmes vendeve fqinje. Ai hyri në tregjet e tyre dhe ushtroi presion mbi çmimet vendase.

Në Poloni kjo preku drejtpërdrejt fermerët e vendit. Për Kievin, çështja ishte mbijetesa e një ekonomie në luftë. Për fermerin polak, ishte mbijetesa e fermës së tij.

Të dyja palët kanë të drejtë. Të dyja shqetësimet janë të vërteta. Dhe pikërisht këtu filloi problemi. Presidenti ukrainas Zelenski dhe qeveria e tij, në disa momente, nuk e njohën mjaftueshëm këtë dallim.

Kur Polonia vendosi të mbronte tregun e saj dhe Ukraina reagoi, duke e çuar çështjen në Organizatën Botërore të Tregtisë, Zelenski mund të kishte argumente juridike dhe ekonomike.
Mirëpo, politikisht, vendimi i tij ishte i gabuar. Përballë Ukraina nuk ishte një shtet neutral apo kundërshtar. Përballë kishte një aleat jetik të sajën, një vend që vuri në dispozicion të Ukrainës territorin, infrastrukturën, armët, diplomacinë dhe një pjesë të konsiderueshme të kapitalit të vet politik.

Diplomacia kërkon aftësinë për të kuptuar se jo çdo betejë që mund të zhvillosh juridikisht, ia vlen të hapet politikisht. Zelinski dhe qeveria e tij mund të kërkonin zgjidhje për eksportet e Ukrainës, duke negociuar drejtpërsëdrejti me qeverinë mike polake. Dhe sigurisht që një mirëkuptim do të arrihej. Mirëpo Zelenski nuk veproi kështu. Ky ishte gabimi i tij i rëndë i parë.

  1. Akuza në OKB për aleatin më kostant të Ukrainës në Evropë?!

Në shtator 2023, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Volodimir Zelenski foli për disa vende evropiane që po e kthenin çështjen e grurit në një “teatër politik” dhe po ndihmonin, qoftë edhe indirekt, Moskën. Polonia nuk u përmend me emër.

Askush në Varshavë nuk pati shumë dyshime se kujt i drejtohej mesazhi. Zelenski gaboi jo domosdoshmërisht në të drejtën për të kundërshtuar një politikë polake, por në tonin, vendin dhe mënyrën se si e bëri.

Të kundërshtosh një vendim apo politikë bujqësore të Varshavës është një gjë. Të krijosh përshtypjen se Polonia, vendi që qysh prej fillimit kishte qenë ndër zërat më të fortë evropianë kundër agresionit të Putinit në Ukrainë, po kontribuonte në lojën e Moskës, është diçka krejt tjetër.

Në Poloni mesazhi u perceptua afërsisht kështu: ne po ndihmojmë Ukrainën ushtarakisht, politikisht dhe ekonomikisht, ndërsa presidenti ukrainas na kritikon nga podiumi i Kombeve të Bashkuara!

Për Zelenskin, i cili pas agresionit të Rusisë së Putinit kishte përdorur me sukses diplomacinë publike për të mobilizuar Perëndimin, ky ishte një moment, kur e njëjta armë u përdor gabim ndaj një aleati të fortë dhe të përhershëm të Ukrainës.

Në marrëdhëniet mes miqve, ka çështje që zgjidhen më mirë në tavolinë, se sa në podiume publike. Presioni publik që mund të funksiononte ndaj vendeve hezituese, nuk ishte domosdoshmërisht instrumenti i duhur për Ukrainën ndaj Polonisë.

IV. Protestat në kufi: Zelenskit i mungoi ndjeshmëria ndaj realitetit polak


Protestat e fermerëve dhe transportuesve bujqësorë polakë në kufi i thelluan më tej mosmarrëveshjet.

Nga këndvështrimi ukrainas, bllokimi i kufirit në një kohë lufte dukej i padrejtë dhe potencialisht i rrezikshëm. Çdo pengesë në furnizime dhe tregti kishte pasoja reale, për një vend që luftonte për mbijetesën e tij. Ky shqetësim ishte plotësisht i kuptueshëm.

Mirëpo këtu, përsëri Zelenski bëri një gabim taktik: e lexoi problemin pothuajse vetëm përmes realitetit ukrainas dhe jo edhe përmes realitetit polak. Fermeri polak nuk e përjetonte çdo ditë krizën, përmes hartës së frontit në Donbas. Ai shihte çmimin e grurit, kostot e prodhimit, kreditë, të ardhurat e familjes dhe konkurrencën. Transportuesi polak mendonte për kontratat dhe tregun e tij. Për një qytetar të zakonshëm polak, politika e jashtme dhe ekonomia familjare nuk janë e njëjta gjë.

Dhe asnjë qeveri polake, e majtë apo e djathtë, nuk mund të shpërfillte pafundësisht këto grupe shoqërore shumë me rëndësi për vendin, duke iu kërkuar që çdo kosto të justifikohej me nevojën për të ndihmuar Ukrainën.

Zelenski duket se e kuptoi këtë realitet me vonesë: mbështetja për Ukrainën nuk anulon politikën e brendshme të Polonisë. Një vend mund të dëshirojë fitoren e Ukrainës dhe, në të njëjtën kohë, të mbrojë fermerët, transportuesit dhe bizneset e veta. Nuk ka asgjë kontradiktore këtu.

  1. UPA: gabimi madhor që Polonia nuk mund ta kalonte në heshtje

Nëse mosmarrëveshjet për grurin, tregtinë apo transportin mund të negociohen dhe të zgjidhen përmes marrëveshjeve teknike, historia është shumë më e vështirë. Historia prek identitetin. Prek familjet. Prek varret. Dhe prek mënyrën se si një komb e sheh veten dhe viktimat e veta.

Pikërisht për këtë arsye, vendimi i Presidentit Zelenski këtë vit, për t’i dhënë një njësie të forcave speciale ukrainase emërtimin nderues “Heronjtë e UPA-s” ishte, në marrëdhëniet me Poloninë, një gabim shumë më serioz, se mosmarrëveshjet e mëparshme ekonomike.

Për Ukrainën, Ushtria Kryengritëse Ukrainase, UPA, lidhet, në një pjesë të narrativës kombëtare, me luftën për pavarësi, rezistencën kundër sundimit sovjetik dhe përpjekjen për krijimin e një shteti ukrainas. Ky është një element i kujtesës historike ukrainase dhe nuk mund të mohohet. Të dyja vendet janë vende armike shekullore me Rusinë shoviniste, të carëve, të diktaturës sovjetike dhe të asaj të Putinit sot.

Mirëpo një shtet që synon të ndërtojë një partneritet strategjik me fqinjët e vet, nuk mund ta ndërtojë politikën e kujtesës kombëtare, duke parë vetëm historinë nga perspektiva e tij.

Për Poloninë, UPA ka një kuptim krejt tjetër. Ajo lidhet drejtpërdrejt me masakrat e popullsisë civile polake në Volhynia dhe në Galicinë Lindore gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për shumë familje polake, nuk bëhet fjalë për një debat abstrakt mes historianëve. Bëhet fjalë për njerëz të vrarë, familje të shkatërruara, fshatra të zhdukur dhe varre që ende sot mbeten pjesë e një kujtese të dhimbshme kolektive.

Në kujtesën institucionale polake, masakrat e Volhynias zënë një vend jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe Parlamenti polak i ka cilësuar ato si genocid. Sikurse janë me të vërtetë.

Në këtë kontekst, emërtimi i një njësie ushtarake ukrainase “Heronjtë e UPA-s” nuk mund të shihej në Varshavë thjesht si një zgjedhje e brendshme ukrainase. Kur një simbol që ti zgjedh për të nderuar ushtrinë tënde lidhet, në kujtesën e fqinjit dhe një prej aleatëve të tu më të rëndësishëm, me vrasjen masive të qytetarëve të tij, çështja pushon së qeni vetëm e jotja.

Këtu Zelenski duhej të kishte treguar shumë më tepër ndjeshmëri. Që nga shkurti 2022, Ukraina ka marrë nga Polonia një mbështetje të jashtëzakonshme politike, ushtarake, humanitare dhe shoqërore. Vetë Zelenski ishte nderuar nga Polonia me Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë, dekoratën më të lartë të shtetit polak. Dhe ky nuk ishte një dekorim protokollar. Ishte një simbol.
Një shenjë e respektit më të lartë që Republika e Polonisë i jepte një lideri të huaj dhe, përmes tij, një shprehje e solidaritetit polak me popullin ukrainas, në momentin e tij më të vështirë.

Pikërisht për këtë arsye, merr kuptim vendimi i Presidentit polak Karol Nawrocki për t’ia hequr Zelenskit Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë.

Në vlerësimin tim, ky është një qëndrim i drejtë. Zelenski mund të zgjedhë simbolet që dëshiron për Ukrainën dhe ushtrinë e saj. Ndërsa Presidenti i Polonisë nuk është i detyruar të vazhdojë të mbajë të dekoruar me nderimin më të lartë polak një drejtues shteti, i cili ndërmerr një veprim të perceptuar nga një pjesë e madhe e shoqërisë polake si fyes dhe denigrues ndaj kujtimit të dhjetra mijëra bashkëkombësve të tyre të vrarë. Dekorata shtetërore nuk është një e drejtë e fituar përgjithmonë.

Nëse simbolika e veprimeve të marrësit të saj hyn në konflikt të drejtpërdrejtë me atë që dekorata përfaqëson, shteti që e ka dhënë ka të drejtën të reagojë. Dhe Presidenti polak bëri pikërisht këtë.

Ai mund të zgjidhte rrugën më të lehtë diplomatike. Mund të bënte një deklaratë kritike, të dërgonte një mesazh në Kiev dhe ta mbyllte çështjen me argumentin e njohur se “nuk duhet t’i japim Moskës kënaqësinë të shohë Poloninë dhe Ukrainën duke u grindur”.

Një qasje e tillë do të kishte krijuar një tjetër problem edhe më të madh. Do të krijonte idenë e gabuar se, për shkak se Ukraina po lufton kundër Rusisë, vendet që e mbështesin duhet të heshtin, edhe kur u preken rëndë çështje themelore të kujtesës dhe dinjitetit të tyre kombëtar.

Presidenti polak e refuzoi këtë logjikë. Dhe pikërisht këtu shfaqet qartë stoicizmi i qëndrimit polak. Nawrocki bëri dy gjëra njëkohësisht.

Nga njëra anë, i dha Zelenskit një sinjal jashtëzakonisht të fortë për veprimin e tij me UPA-n, duke i hequr dekoratën më të lartë të Polonisë. Nga ana tjetër, nuk e barazoi Zelenskin me Ukrainën dhe nuk e barazoi këtë mosmarrëveshjen të rëndë me interesin strategjik të Polonisë.

Presidenti ukrainas, Zelenski, në qëndrime të caktuara, duket si nxënës besnik i Xhorxh Sorosit dhe si shokë ideali me vëllezërit sorosianë Rama dhe Vuçiç . Këtu është edhe burimi i qëndrimit të tij filoserb e antishqiptar ndaj Kosovës, të shprehur qartë së fundmi në vizitën e tij në Serbi pak ditë më parë dhe në takimin me Vuçiç (në shkrimin e së martës dt. 11 gusht 2026 me titull “Prapaskenat e paktit anti-shqiptar Soros-Rama-Vuçiç-Zelensky, si u kthyen pazaret e luftës në goditje gjeopolitike për çështjen shqiptare”, gazeta “Sot” ka një analizë shumë integrale  për këtë raport sorosian).

xxx

Për të gjitha mosmarrëveshjet e deritanishme, për shkak të gabimeve të Zelenskit, duke mos e lexuar qartë situatën e brendshme në Poloni dhe historinë e dhimbshme të saj, të ngjashme me vetë historinë e dhimbshme të popullit ukrainas, në rastet e masakrave të Ushtrise së Kuqe, Polonia zgjodhi të thotë: Ne do të vijojmë të mbështesim Ukrainën kundër agresionit rus.

Dhe njëkohësisht, me shumë forcë dhe dinjitet, Polonia zgjodhi edhe të pozicionohet: Ne do të mbrojmë fermerët tanë. Ne nuk do të heshtim për historinë tonë, për shkak se Ukraina është në luftë.

Këto dy pozicione do të bashkëjetojnë. Interesi strategjik i Polonisë mbetet një Ukrainë e lirë, sovrane dhe e aftë t’i rezistojë Rusisë. Sikurse interesi strategjik i Ukrainës mbetet të sigurojë në marrëdhëniet me Poloninë, që ky aleat shumë i rëndësishëm për luftën dhe rezistencën e saj, të mbetet i respektuar dhe i mirëkuptuar.

Ukraina kishte dhe vazhdon të ketë nevojë të madhe për Poloninë. Ka nevojë për territorin dhe infrastrukturën e saj, për mbështetjen politike, për bashkëpunimin ushtarak dhe për peshën e Polonisë brenda NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Polonia është ekonomia e katërt më e madhe e Bashkimit Evropian dhe vendi me kontributin më të lartë për mbrojtjen nga vendet e NATO-s,  krahasuar me GDP-në e vet. Polonia përfaqëson shtyllën e NATO-s në Evropën Lindore.

Dhe, në perspektivë, është vendi më mbështetës në rrugën e integrimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular