Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar pas mbledhjes së grupit parlamentar të partisë se LDK-ja ka vendosur të heqë dorë nga çdo kërkesë për poste politike, me synimin për t’i hapur rrugë zgjidhjes së krizës aktuale në Kosovë.
Abdixhiku tha se LDK-ja nuk do të kërkojë pjesëmarrje në qeveri, poste ministrore apo drejtimin e Kuvendit, ndërsa tërhiqet edhe nga kërkesa për postin e presidentit.
“Për ta çliruar procesin nga çdo alibi dhe për t’i hapur rrugë zgjidhjes në interes shtetëror, LDK-ja tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita dhe merr përsipër të kontribuojë pa asnjë përfitim politik në shmangien e krizës aktuale. LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. S’e duam asnjë ministri, le t’i mbajë të gjitha VV-ja. Heqim dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe më e rëndësishmja edhe nga kërkesa për ta udhëhequr postin e presidentit”, tha Abdixhiku.
Ai theksoi se partia e tij do të qëndrojë në opozitë dhe do ta ushtrojë këtë rol “me dinjitet”. Sipas Abdixhikut, vendimi vjen edhe për të shmangur çdo mundësi që zhgënjimi politik të kthehet në bllokadë institucionale.
“Meqë LVV-ja po vlerëson se s’ka nevojë për partnere s’do ta ketë as s’i dekor. Do të qëndrojmë në opozitë dhe do të ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet. Pavarësisht këtij qëndrimi, s’do ta shndërrojmë zhgënjimin politik në bllokadë. Jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjedhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës”, tha Abdixhiku.







