Silvana Xhaferri Hoxha, aktiviste dhe anëtare e Dhomës Britanike të Tregtisë, komentoi protestat që vijojnë prej 78 ditësh kundër qeverisë së Edi Ramës.
Në një intervistë për News24, Xhaferri u shpreh optimiste për të ardhmen e vendit, duke e konsideruar mobilizimin qytetar si një dëshmi se shqiptarët nuk i kanë humbur plotësisht shpresat.
Sipas saj, problemet me demokracinë kanë rrënjë që prej viteve ’90. Ajo argumentoi se tranzicioni pas rënies së komunizmit nuk solli ndryshimin e pritshëm dhe se, përgjatë viteve, ndryshimet në ligje dhe Kushtetutë kanë përkeqësuar situatën.
“Realitetin shqiptar e shoh plot shpresë. Kur shikon se populli ka arritur të ngritu se kishin hequr totalisht shpresat se ne nuk ngrihemi. Padrejtësi kanë ndodhur shumë. Që pas ‘90, demokracia që ne prisnim u kap nga elementë të ish sistemit komunist. Kjo solli që ne nuk patëm asnjëherë tranzicionin e duhur dhe të mos kalonim në demokraci. Duke mos e patur këtë, kemi parë ndryshime të ligjeve dhe Kushtetutës që veçse ka përkeqësuar situatën.
Arrin një moment siç ishte fundi i majit, dhe të gjithë e kuptojnë se nuk është thjesht Zvërneci. Klasa politike duhet ta kishte parë realitetin, dhe të kishte marrë masat e duhura. Nuk kanë pasur aftësinë që ta bëjnë dhe përderisa populli ka aftësinë që të çohet dhe ta shohë se ku qëndron problemi, kjo të bën optimist se do të kemi diçka më të mirë.”, u shpreh ajo.
Xhaferi theksoi se ligjet e miratuara nga qeveria janë demaskuar, ndërsa shtoi se ajo duhet të mbajë mbi kurriz veprimet që ka kryer për këto ligje dhe të japë dorëheqjen.
“Ajo që i përbashkon të gjithë janë kërkesat. Qeveria duhet ta kuptojë se gjithë ky zemërim, ka arritur të kuptojë se shumë prej ligjeve janë demaskuar, kanë qenë ata që kanë marrë vendimet për këto ligje dhe kështu që mbaje mbi kurriz dhe jep dorëheqjen.”, shtoi ajo.
Duke iu referuar reagimeve dhe sulmeve të kryeministrit Edi Rama ndaj protestuesve, të cilët iu është drejtuar edhe me termin “F*ck You”, ajo tha se me këtë veprim ai i bëri dëm vetes.
“Fakti që ata reagojnë do të thotë se funksionon protesta. Pastaj se si reagojnë eshtë elementi i dytë. Filluan nga deklarata në Financial Times me një gjuhë që s’e përdor ndonjëherë në jetën time dhe ta përdorësh para medias së huaj, i bëri dëm vetes së vet sepse demaskoi veten e vet përpara medias ndërkombëtare.
Nuk duhet të ishte bërë në mënyrë absolute. Ndryshimi i mendjes së PD dhe mundësia që t’i bashkohemi ndërkohë që në shesh thuhet qartë se të gjithë që kanë ndikuar në realitetin që ne ndodhemi, të gjithë kanë gisht në këtë dhe populli është i qartë, thotë “Nuk iu duam”.”, shtoi ajo.







