Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, 18 gusht, në lokalin “Principote” në Ksamil, ku turisti 20 vjeçar portugez Luis Miguel Varela Mendes u vra nga Sokrat Lipan alias Sokrat Vata.
Në pranga janë vënë 11 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Të arrestuarit janë, krahas autorit Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, dy turqit që ndihmuan autorin Nuh Mahmutoglu 38 vjeç, dhe Ezgi Perlak 31 vjeçe; Serxhi Selimi, 24 vjeç; Ervis Bunci, 24 vjeç; Ildi Cekani, 21 vjeç; dhe Murat Zhabina 27 vjeç, kamarierë në lokalin “Principote”; si dhe Miosid Matushaj 24 vjeç; Luciano Seferi 44 vjeç; Romeo Shehu 35 vjeç dhe Kristi Koshi 29 vjeç, të cilët ishin pjesë e sigurisë/bodyguard-ëve të lokalit në fjalë. Në kërkim u shpallën David Heurtevent 29 vjeç dhe pronari i lokalit, Bekim Bulica, 36 vjeç.
Autori i krimit u vu në pranga nga policia në Levan të Fierit, në bagazhin e një automjeti, që drejtohej nga shtetasja turke Ezgi Perlak, 31 vjeçe, ndërsa pasagjer ishte shtetasi Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç, po ashtu turk.
Sipas policisë, të dy kishin njohje me Sokrat Vatën dhe e kishin fshehur në makinë me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës. Për këtë arsye, ata janë arrestuar për “Përkrahje të autorit të krimit”.
NGJARJA
Sipas hetimeve, ngjarja nisi rreth orës orës 05:15 në lokalin “Principote” në Ksamil dhe më pas vijoi në plazhin e “Paradise”. Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, 29 vjeç, dyshohet se gjatë konfliktit goditi disa herë me thikë 20-vjeçarin portugez, ndërsa David Heurtevent 29 vjeç, i shpallur në kërkim, dyshohet se e goditi me grushte. Të dy akuzohen për vrasje me dashje në bashkëpunim.
Para goditjes me thikë, në konflikt u përfshinë edhe katër kamarierët e “Principote” Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani, dhe Murat Zhabina, të cilët sipas policisë goditën me grushte 20-vjeçarin dhe më pas u larguan.
Në lokal ndodheshin edhe Miosid Matushaj, punonjës policie; Luciano Seferi, 44 vjeç, punonjës i IEVP Fier, Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër dhe Kristi Koshi, të cilët kishin rolin e bodyguard-ëve. Sipas hetimeve, ata nuk ndërhynë për të parandaluar konfliktin dhe nuk njoftuan policinë pas ngjarjes. Për këtë arsye, akuzohen për moskallëzim të krimit, ndërsa Miosid Matushaj edhe për mosmarrje të masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme.
Pronari i lokalit Bekim Bulica ndodhej gjithashtu aty dhe, sipas policisë, u largua pas ngjarjes pa e kallëzuar atë. Ai është shpallur në kërkim për moskallëzim të krimit.
Njoftimi i Policisë:
Veprime intensive hetimore me metoda speciale të hetimit, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit portugez, mëngjesin e sotëm në Ksamil.
Vihen në pranga 11 shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin ligjor, kapjen dhe arrestimin e autorit, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e 20-vjeçarit portugez, mëngjesin e sotëm në Ksamil, Sarandë, ju informojmë se:
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe koordinimit të punës mes Komisariatit të Policisë Sarandë, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, paraditen e sotme, në Levan, Fier, u kap në bagazhin e një automjeti autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi S. L., alias S. V., 29 vjeç.
Ky shtetas udhëtonte në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga shtetasja E. P., 31 vjeçe, dhe pasagjer shtetasi N. M., 38 vjeç, të dy me shtetësi turke, të cilët kishin njohje me autorin dhe e kishin fshehur në makinë, me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës.
Po në kuadër të veprimeve për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit, në Komisariatin e Policisë Sarandë u shoqëruan 41 shtetas.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
S. L., alias S. V., 29 vjeç, banues në fshatin Helshan, Has;
N. M., 38 vjeç, dhe E. P., 31 vjeçe, të dy me shtetësi turke;
S. S., 24 vjeç, banues në Ersekë;
E. B., 24 vjeç, banues në Peshkopi;
I. C., 21 vjeç, banues në Librazhd;
M. Zh., 27 vjeç, banues në Elbasan;
M. M., 24 vjeç, banues në Gjirokastër;
L. S., 44 vjeç, banues në Gjirokastër;
R. Sh., 35 vjeç, banues në Gjirokastër;
K. K., 29 vjeç, banues në Gjirokastër.
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. H., 29 vjeç, banues në Tiranë, dhe B. B., 36 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore rezulton se:
Në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez L. V., 20 vjeç. Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi D. H., tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa shtetasit S. S., E. B., M. Zh. dhe I. C., të cilët janë kamarierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me mjet prerës shtetasi S. V., dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Në momentin e kësaj ngjarjeje, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve shtetasit M. M. (punonjës policie D. R. K. M. Gjirokastër), L. S. (punonjës i I. E. V. P. Fier), R. Sh. (punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër) dhe K. K., të cilët kanë pasur rolin e sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, në momentin e ndodhjes së kësaj ngjarjeje, në ambientet e lokalit “Principote” ka qenë edhe pronari i tij, shtetasi B. B., i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar në autoritetet përkatëse.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për shtetasit S. V. dhe D. H., për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim; për shtetasit N. M. dhe E. P., për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”; për shtetasit S. S., E. B., M. Zh., I. C., L. S., K. K., B. B. dhe R. Sh., për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; si dhe për shtetasin M. M., për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.







