Ditët e fundit të gushtit kanë sjellë një fluks të lartë automjetesh nga Kosova në drejtim të Shqipërisë, teksa qindra mjete udhëtojnë drejt bregdetit shqiptar për të shfrytëzuar ditët e fundit të sezonit veror.
Ngarkesa e automjeteve është e dukshme në pikën kufitare të Morinit, por edhe përgjatë Rrugës së Kombit, veçanërisht në segmentin nga Morini deri në Pikën e Pagesës, ku qarkullimi është shtuar ndjeshëm.
Në pikën kufitare të Morinit, autoritetet po punojnë me të gjitha sportelet në dispozicion për të përballuar fluksin e lartë të udhëtarëve dhe automjeteve.
Masa të ngjashme janë marrë edhe në Pikën e Pagesës së Rrugës së Kombit, me qëllim shmangien e radhëve dhe lehtësimin e qarkullimit.
Fluksi pritet të vijojë edhe gjatë orëve në vazhdim, pasi shumë qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për pushimet e fundit të gushtit.







