Exclu është aplikacioni i radhës i koduar, që grupet kriminale shqiptare kanë përdorur për të komunikuar rreth aktivitetit të tyre të paligjshëm.
Prokuroria e Posaçme ka administruar dhe po analizon bisedat e ekstraktuara nga ky aplikacion pas thyerjes që i bënë atij autoritetet gjermane dhe holandeze në vitin 2023.
Përmes letërporosive, autoritetet gjermane i kanë sjellë SPAK biseda që lidhen me vepra të ndryshme penale, por kryesisht për ato të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Përdorues të këtij aplikacioni kanë rezultuar dhe anëtarë të një prej grupeve më të fuqishme shqiptare që u godit nga SPAK verën e 2025.
Sipas episodeve të zbardhura nga komunikimet në Sky, ata kanë arritur të fusin në Bashkimin Europian mbi 20 tonë kokainë gjatë viteve 2020-2021.
Prej të paktën 4 vitesh, në dhjetëra dosje hetimore janë përdorur komunikimet në aplikacionin Sky ECC, i thyer nga autoritetet franceze. Gjatë 2025-s, SPAK përdori për herë të parë edhe komunikime nga aplikacioni tjetër i koduar, Matrix.







