Zhdukja e 66-vjeçarit spanjoll Juan José Mutilba, i cili dyshohet se ra në det nga varka me vela me të cilën po udhëtonte drejt Pylos, vijon të mbetet një mister. Familja e tij kërkon përgjigje, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit.
Çifti ishte nisur nga Siçilia drejt Greqisë dhe, sipas familjes, incidenti ndodhi më 18 gusht, rreth 150 milje detare nga destinacioni. Mutilba po peshkonte kur, sipas versionit të dhënë nga djali i tij, ra në det. Djali i 66-vjeçarit tregoi për mediat greke se babai i tij kishte kapur një ton dhe po përpiqej të pastronte gjakun e peshkut kur humbi ekuilibrin dhe ra në ujë. “Nëna ime, për shkak të shokut, nuk dinte si të reagonte. Brenda 30 sekondash babai im u zhduk”, rrëfeu ai. Sipas djalit, gruaja e Mutilbës arriti të regjistronte koordinatat e sakta të vendit ku ai ra në det dhe tentoi të dërgonte një sinjal SOS përmes radios.
Megjithatë, familja dyshon se radioja mund të mos ketë funksionuar siç duhet ose se procedura e emergjencës nuk është ndjekur në mënyrën e duhur. Situata u komplikua edhe më tej kur varka mbeti pa karburant. Gruaja, e cila sipas djalit nuk kishte njohuri mbi mekanikën e mjetit, përdori velat për të ulur shpejtësinë dhe për të mbajtur varkën nën kontroll.
Ajo qëndroi në det për disa ditë, ndërsa përballej edhe me probleme komunikimi, përpara se të arrinte të kontaktonte autoritetet.
“Babai im kishte 35 vjet përvojë në det”
Familja thekson se Juan José Mutilba nuk ishte i panjohur me detin. Djali i tij thotë se 66-vjeçari kishte më shumë se 35 vite përvojë lundrimi, ndërsa bashkëshortja e tij kishte shumë më pak përvojë në drejtimin e varkës. Tashmë, hetimet janë përqendruar te ajo që ndodhi në momentet pas rënies së 66-vjeçarit në det, ndërsa familja vazhdon të shpresojë për një zhvillim në kërkimet për të. Koordinatat e regjistruara nga gruaja mbeten një nga elementët kryesorë për të përcaktuar vendin ku Juan José Mutilba u pa për herë të fundit.







