Punimet e dorës, materialet dhe procesi krijues pas çdo objekti artizanal ishin në qendër të edicionit të katërt të Panairit të Produkteve Artizanale, i cili u rikthye në Green Coast nën konceptin “DUART”.
Si një prej aktiviteteve të rëndësishme të kalendarit veror të Green Coast, panairi mblodhi artizanë nga fusha të ndryshme dhe solli përgjatë shëtitores buzë detit një larmi punimesh, materialesh dhe teknikash artizanale.

Nga qeramika, punimet me dru dhe qelq, bizhuteritë, skulpturat, qilimat dhe makrametë, te çantat e punuara me dorë, qirinjtë, sapunët dhe parfumet, vizitorët patën mundësinë të njiheshin me forma të ndryshme të artizanatit. Përzgjedhja ndërthurte mjeshtëri të trashëguara ndër vite me krijime të sjella në një frymë më bashkëkohore, duke reflektuar mënyrat e shumta se si puna e dorës vazhdon të evoluojë.

Këtë vit, përvoja e panairit shkoi edhe përtej ekspozimit të produkteve. Dy masterclass-a, të dedikuara krijimit të parfumeve dhe qirinjve, i përfshinë vizitorët drejtpërdrejt në procesin krijues. Pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin me fazat e realizimit të një produkti artizanal, të eksperimentonin me aroma dhe materiale të ndryshme dhe, në fund, të krijonin vetë produktin e tyre.
Këto aktivitete interaktive e kthyen panairin në një hapësirë takimi mes artizanëve dhe vizitorëve vendas e të huaj të cilë u njohën nga afër me teknikat, materialet dhe mjeshtërinë që qëndron pas punimeve të ekspozuara, duke zbuluar njëkohësisht elemente të traditës shqiptare të interpretuara në forma të ndryshme krijuese.

Me aktivitete të tilla, që bëjnë bashkojnë artin, kulturën dhe krijimtarinë, Green Coast vijon të pasurojë kalendarin veror dhe eksperiencën e vizitorëve nga viti në vit, duke krijuar hapësira ku tradita shqiptare prezantohet, përjetohet dhe merr forma të reja në një destinacion buzë detit.







