Piktura e stampuar me “kokën e prerë të Ali Pashë Tepelenës te Sulltani”, qëndron aktualisht e varur në ambjentet e brendshme të kalasë së Porto Palermos. Historia e saj vjen nga rrëfimi ekskluziv për MAPO i autorit të veprës, Agim Sulaj
“Kjo tablo me përmasa 180×170 u pikturua në vitin 1989, për të marrë pjesë në konkurimin kombëtar të përvjetorit “Pavarësia”. Ishte një krijim imi, imagjinuar e krijuar në studion time në Vlorë,” – thotë piktori, në rrëfimin e tij për “MAPO.al”.
“Kompozimi dhe drama që përcjell tabloja janë mbresëlënëse. E kam punuar gati 25 ditë. Dhe e nisa në Tiranë për ekspozim, me trenin e linjës Vlorë-Tiranë. Që nisej në 4,30 të mëngjesit”, shprehet Sulaj.
“Më ndihmuan e lagjes për ta çuar sepse tabloja ishte e madhe dhe me kornizë të plotë”, thekson piktori.

Më tej, Sulaj shton se piktura u flak, pasi nuk mori pëlqimin e autoriteteve, për shkak të një “defekti”.
“Në Tiranë kjo tablo nuk u aprovua, si “difekt” u gjet pse “koka e prerë” e shqiptarit te sulltani. Piktura u hodh si një gjë pa vlerë te magazinat e allçiut, te qendra e derdhjes në bronx ku ndodheshin edhe bustet e Enverit.”
“Me vështirësi pas disa muajsh gjej një mjet i cili ma solli në studion time në Vlorë. Piktura qe katandisur si mos më keq.”
“Thasët e allçiut të hedhur sipër e kishin pluhurosur, telajoja ishte shtrembëruar, edhe korniza. Për ta rregulluar më është dashur me shumë kohë se ajo e realizimit.”
Ndërkohë, pas izolimit të gjatë Shqipëria filloi të hapej në vitet 1990. Një i moshuar i cili jetonte në lagjen e piktorit, me origjinë nga Janina, kishte parë muzeun e Ali Pashë Tepelenës në Janinë dhe i sugjeron piktorit që t’iu shkruante një letër, për t’i shitur pikturën.
“Ja dërguam letrën me një foto me ngjyra, në ato vite ishin të rralla këmbimet me postë. Edhe bashkia e Janinës përgjigjet po me letër, sepse ishte koha kur email-i nuk njihej fare.”

Në foto: Agim Sulaj (i pari majtas), dita e dorëzimit të pikturës te përfaqësues të Bashkisë Janinë, viti 1990
“U vendos një ditë dhe një orar i caktuar, për një takim në doganën e Kakavijës ku edhe do të bëhej vlerësimi i pikturës.”
“Tabloja “me kokën e prerë të Alit” u dërgua jo pa siklet” – shpeehet autori. – “Grekët e blenë tablonë dhe prej vitit 1990 ndodhet atje. Ku është parë nga shumë turistë e artdashës.”
Mediat e huaja, përfshirë BBC kanë dedikuar fragmente për tablonë e famshme.

Tabloja tjetër portreti i Ali Pashë Tepelenës, është realizuar në vitin 2006 gjatë ditëve që vija me pushime nga Italia në Vlorë
Një tjetër krijim i tij, i lindur nga fantazia dhe imazhi mbi Ali Pashë Tepelenën, të cilin ai thotë se e adhuron si personazh historik.
Pikturat e mjeshtrit Agim Sulaj, dedikuar Ali Pashë Tepelenëd, u rikthyen në Porto Palermo dhe ndodhen në ambjentet e brendshme të kalasë së Porto Palermos, përmes një marrëveshje institucionale mes dy vendeve. Pikturat tërheqin interesin e qindra turistëve të cilët e vizitojnë kalanë çdo ditë.

Piktori Agim Sulaj, duke pozuar para veprës së tij, në muzeun e Ali Pashë Tepelenës, në Janinë
“Vite më vonë më thanë që këto dy tablo janë të stampuara dhe ekspozuara, në Porto Palermo, ku qëndrojnë edhe sot.”
“Këto tablo janë bërë shumë të njohura dhe janë publikuar ndër vite në shume romane dhe krijime mbi Ali Pashain e Janinës” – shprehet ai.
“Këto tablo me suksesin e tyre më bindën që duhet të portretizoj historinë e thënë dhe të pathënë, të njohur e të panjohur të Shqipërisë,” shpreh piktori i mirënjohur.

Ndërkohë, shumica e veprave të tjera historike, realizuar nga Agim Sulaj, përfshirë ato të heroit tonë kombëtar, ndodhen sot në Vlorë te muzeu Selami, si dhe në koleksione private.







