Një biznesmen 61-vjeçar u vra brutalisht në Kolumbi, pasi një grua e armatosur e qëlloi 11 herë nga afër. Ngjarja ndodhi në lagjen Bosconia, ndërsa kamerat e sigurisë kanë dokumentuar momentin e atentatit ndaj Gabriel Antonio Muñoz Vizcaino, i njohur me nofkën “El Mocho”.
Pamjet tregojnë se gruaja mbërriti para biznesit të 61-vjeçarit me një motoçikletë, të drejtuar nga një bashkëpunëtor. Sipas mediave lokale, ajo i telefonoi biznesmenit me pretekstin e një problemi që lidhej me një zinxhir ari dhe e thirri të dilte jashtë. Kur Muñoz u shfaq, gruaja hapi zjarr ndaj tij dhe e qëlloi 11 herë brenda rreth katër sekondash. Pas të shtënave të para, biznesmeni u përpoq të largohej me vrap për t’i shpëtuar sulmit, por plagët e marra rezultuan fatale.
Autoritetet kanë nisur hetimet dhe po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e gruas që kreu vrasjen, si dhe të personit që e shoqëronte me motoçikletë. Policia po heton gjithashtu nëse çështja e zinxhirit të arit ishte vërtet arsyeja e takimit apo nëse ajo u përdor vetëm si pretekst për t’iu afruar viktimës dhe për të kryer atentatin. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e mbledhura në vendngjarje, në përpjekje për të zbardhur motivin e vrasjes dhe për të identifikuar autorët.







