Japonia është në alarm për shkak të tajfunit të fuqishëm Dujuan, i cili po afrohet drejt bregdetit lindor të vendit. Autoritetet kanë aktivizuar alarme emergjence në Tokio dhe zonat përreth, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të ndjekin udhëzimet për evakuim.
Moti i keq ka shkaktuar ndërprerje të shumta në transport. Rreth 500 fluturime në aeroportet Haneda dhe Narita janë anuluar, ndërsa disa shërbime të trenave me shpejtësi të lartë në linjën Tokaido janë pezulluar.
Autoritetet kanë ngritur alarmin e Nivelit 5, më të lartin në sistemin japonez të paralajmërimeve, për qytetin Oshima dhe ishujt Izu në jug të prefekturës së Tokios. Alarmi prek rreth 1,900 familje dhe mbi 3,000 banorë.
Në lagjen Meguro të Tokios është vendosur alarmi i Nivelit 4 për rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut, ndërsa në qendër të kryeqytetit është në fuqi alarmi i Nivelit 3.
Për shkak të kushteve të rënduara atmosferike janë anuluar edhe aktivitetet publike. Koncertet e planifikuara për të hënën në festivalin muzikor Rock in Japan janë anuluar, ndërsa është pezulluar edhe programi i së hënës i Tokyo Game Show.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëron për reshje shumë të dendura, që mund të arrijnë nivele rekord deri të martën, veçanërisht në zonat bregdetare.
Kryeministrja Sanae Takaichi u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin seriozisht paralajmërimet dhe udhëzimet për evakuim.







