Hakerët që kanë thyer sistemet e FBI-së pretendojnë se disponojnë të dhëna jashtëzakonisht të ndjeshme mjekësore të mijëra agjentëve specialë të institucionit amerikan.
BBC ka parë mostra të dokumenteve mjekësore të vjedhura, të cilat lidhen me kontrollet e “aftësisë për punë” dhe përmbajnë të dhëna si rezultatet e analizave të gjakut dhe urinës, si dhe shënime të mjekëve për probleme shëndetësore, përfshirë raste alergjie ndaj “frutave të detit dhe bananeve”.
Dokumentet përmbajnë emrat e plotë dhe adresat e agjentëve, si dhe referenca për probleme të ndryshme shëndetësore, përfshirë “gjak në urinë” dhe “kolesterol të lartë”.
Ekspertët paralajmërojnë se rrjedhja e të dhënave, e cila po hetohet nga FBI, mund t’i ekspozojë agjentët ndaj mashtrimeve, shantazheve dhe sulmeve të synuara, si dhe t’u mundësojë kriminelëve të imitojnë zyrtarë të autoriteteve ligjzbatuese.
FBI nuk u është përgjigjur kërkesave për koment, por të mërkurën konfirmoi rrjedhjen e të dhënave dhe deklaroi se po heton “intensivisht” mënyrën se si ndodhi incidenti.
Grupi i krimit kibernetik ShinyHunters njoftoi të hënën se kishte depërtuar në sistemet e FBI-së dhe publikoi detaje të sulmit në faqen e tij në darknet.
Grupi publikoi gjithashtu mostra të të dhënave që pretendon se janë vjedhur. Ato përmbajnë emra, adresa, numra telefoni, numra identifikimi, titujt e pozicioneve të punës, si dhe informacione lidhur me partnerët e punonjësve.
Dokumentet duket se lidhen me mijëra agjentë, përfshirë edhe zëvendësdrejtorë të FBI-së.
Fillimisht u vlerësua se sulmi mund të kishte prekur rreth 38 mijë punonjës të FBI-së. Megjithatë, hakerët pretendojnë tashmë se numri mund të arrijë në 60 mijë punonjës aktualë dhe ish-punonjës të institucionit.
Në mënyrë jo të zakonshme për sulme të këtij lloji, hakerët nuk po kërkojnë para. Në vend të kësaj, ata kërkojnë tërheqjen e një deklarate të publikuar nga FBI në muajin maj, e cila, sipas pretendimit të tyre, i kishte fyer.
Hakerët kanë paralajmëruar se do të publikojnë të gjithë bazën e të dhënave, nëse FBI nuk plotëson kërkesat e tyre.
ShinyHunters është një grup ndërkombëtar hakerësh që vepron që prej vitit 2019 dhe është lidhur me një sërë sulmesh kibernetike në shkallë të gjerë.







