HomeBotaU zhduk rrugës për në shkollë, u gjet e pajetë në një...

U zhduk rrugës për në shkollë, u gjet e pajetë në një shtëpi të braktisur: 22-vjeçari i dyshuar me të kaluar tronditëse

Advertismentspot_img

E gjithë Gjermania u mobilizua në kërkim të 13-vjeçares Lisa T. e cila u gjet e vrarë në një shtëpi të braktisur në Brandenburg, ndërsa 22-vjeçari, i dyshuar si autor i krimit, rezulton se ishte hetuar më parë për posedim të materialeve të abuzimit seksual me fëmijëHistoria e 13-vjeçares Lisa T. nga Berlini ka marrë një kthesë tragjike, ndërsa hetimet për vdekjen e saj kanë nxjerrë në dritë të dhëna të reja dhe shqetësuese për personin e dyshuar. Mediat gjermane raportojnë se 22-vjeçari që u gjet pranë trupit të vajzës kishte qenë më parë objekt i dy procedimeve hetimore për dyshime që lidhen me blerjen dhe zotërimin e materialeve pornografike me fëmijë. Gjatë një kontrolli të mëparshëm në banesën e tij, autoritetet kishin sekuestruar më shumë se 900 skedarë të dyshuar si të paligjshëm.

Gjithçka nisi të martën, më 3 nëntor 2026, kur Lisa u largua nga banesa e saj në lagjen Marzahn të Berlinit, rreth orës 07:20 të mëngjesit, për të shkuar në shkollë.

Sipas mediave gjermane, vajza kishte planifikuar të merrte autobusin nga stacioni Barnimplatz rreth orës 07:30, për të mbërritur në shkollën e saj në Sella-Hasse-Straße. Ajo nuk mbërriti kurrë në destinacion.

Në orët e para të zhdukjes, Lisa kishte komunikuar me një shoqe përmes telefonit, por më pas kontakti u ndërpre papritur dhe telefoni i saj nuk ishte më i arritshëm. Familjarët dhe shkolla ku ajo ndiqte mësimet alarmuan për zhdukjen, ndërsa policia nisi kërkimet dhe publikoi fotografitë e saj, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve.

Hetuesit kontrolluan zonën përreth banesës, itineraret që vajza mund të kishte ndjekur dhe vende të tjera ku mund të kishte shkuar. Në operacion u angazhuan qen gjurmues, helikopterë dhe njësi të specializuara policore.

Më 5 nëntor, çështja mori një tjetër dimension. Duke qenë se nuk përjashtohej mundësia që vajza të ishte bërë viktimë e një krimi të rëndë, hetimet kaluan në duart e njësisë së vrasjeve të Policisë Kriminale të Berlinit.

Kërkimet u zgjeruan edhe në landin fqinj të Brandenburgut. Të shtunën, më 7 nëntor, rreth 220 efektivë policie morën pjesë në operacion, ndërsa u kryen kontrolle dhe u pyetën banorë të zonës.

Të dielën, më 8 nëntor, kërkimet morën fund në mënyrën më tragjike. Rreth mesditës, policia u njoftua për hyrjen e personave të paautorizuar në një shtëpi private të pabanuar në Altglietzen, pranë qytetit Bad Freienwalde, në Brandenburg, rreth 50 kilometra larg banesës së vajzës.

Sipas raportimeve, një person nga zona kishte vënë re se dera e shtëpisë, e cila ishte në shitje, qëndronte e hapur dhe kishte njoftuar policinë.

Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, në katin e sipërm të ndërtesës zbuluan trupin e pajetë të një vajze dhe një burrë të plagosur rëndë. Më pas, ekzaminimet forenzike konfirmuan se viktima ishte pikërisht 13-vjeçarja Lisa T.

Zbulimi i trupit në këtë banesë ishte, rezultat i rastësisë, pasi deri në atë moment nuk kishte pasur ndonjë indicie që vajza ndodhej në atë adresë.

Pranë trupit të saj u gjet një 22-vjeçar me shtetësi gjermane, i cili u identifikua si i dyshuari kryesor. Ai kishte pësuar plagë kërcënuese për jetën dhe u transportua në spital, ku vijonte të trajtohej në terapi intensive.

Sipas raportimeve të agjencisë DPA, burri dyshohet se mund të jetë plagosur me armë zjarri në një përpjekje për t’i dhënë fund jetës, kur policia mbërriti në banesë. Ky detaj nuk është konfirmuar përfundimisht nga autoritetet.

Çfarë dihet për 22-vjeçarin dhe të kaluarën e tij?

Zhvillimi më i rëndësishëm i hetimeve u bë publik më 9 dhe 10 nëntor nga Prokuroria e Berlinit dhe mediat vendase.

Sipas gazetës gjermane Der Tagesspiegel, 22-vjeçari kishte qenë më parë nën hetim për dy çështje që lidhen me dyshimin për blerjen dhe zotërimin e materialeve pornografike me fëmijë.

Procedimi i parë ishte regjistruar që në janar të vitit 2025. Hetimet kishin nisur pas analizimit të transaksioneve financiare që lidhnin të dyshuarin me platformën në Darknet.

Më 10 mars 2025, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër pornografisë me fëmijë, autoritetet kishin kryer një kontroll të autorizuar nga gjykata në banesën e tij. Gjatë këtij operacioni ishin sekuestruar pajisje elektronike, ku, sipas Prokurorisë, dyshohej se ndodheshin më shumë se 900 skedarë të paligjshëm, të cilët ai dyshohet se i kishte siguruar gjatë vitit 2023.

Por kjo nuk ishte çështja e vetme. Më 28 prill 2026, Prokuroria e Berlinit kishte marrë përsipër edhe një procedim të dytë nga Prokuroria e Passaut. Në telefonin celular të 22-vjeçarit, i cili në atë periudhë ndodhej në Bavari, ishin konstatuar një numër i konsiderueshëm materialesh të tjera që dyshoheshin se kishin përmbajtje pornografike me të mitur.

Pavarësisht këtyre procedimeve, autoritetet bëjnë të ditur se 22-vjeçari nuk kishte precedentë penalë dhe nuk ishte dënuar më parë.

A e njihte vajza personin e dyshuar?

Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit lidhet me raportin mes 13-vjeçares dhe 22-vjeçarit.

Sipas Prokurorisë së Berlinit, deri më tani nuk është konstatuar asnjë lidhje apo njohje e mëparshme mes tyre. Hetuesit nuk kanë gjetur gjithashtu prova për përfshirjen e personave të tjerë në ngjarje.

Sipas deklarimeve të një zëdhënësi të Prokurorisë për mediat gjermane, nga të dhënat aktuale dyshohet se Lisa mund të ketë qenë viktimë rastësore. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse 22-vjeçari e kishte vëzhguar vajzën përpara zhdukjes së saj.

Mediat gjermane, duke iu referuar burimeve të hetimit, kanë raportuar edhe se vajza mund të jetë gjetur e lidhur. Gjithashtu është përmendur mundësia që ajo të jetë dërguar në banesë përmes një zone pyjore dhe se mund të jetë droguar përpara se të dërgohej atje. Këto të dhëna nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Prokuroria dhe mbeten pjesë e raportimeve mediatike.

Një nga pikëpyetjet kryesore të hetimit mbetet mënyra se si humbi jetën 13-vjeçarja.

Autopsia e kryer më 9 nëntor nuk arriti të përcaktonte një shkak të qartë të vdekjes. Për këtë arsye, autoritetet kanë urdhëruar ekzaminime të tjera mjeko-ligjore, të cilat pritet të ndihmojnë në përcaktimin e rrethanave dhe kohës së saktë të vdekjes.

Ndërkohë, policia ka kontrolluar edhe banesën e 22-vjeçarit në zonën Marzahn-Hellersdorf të Berlinit, ku janë sekuestruar prova të mundshme që do t’i nënshtrohen analizave.

Hetimet vijojnë nga njësia e vrasjeve e Policisë Kriminale të Berlinit, nën drejtimin e Prokurorisë.

Vdekja e Lisës ka tronditur familjen, shkollën dhe komunitetin ku ajo jetonte. Banorët kanë vendosur lule, qirinj dhe fotografi pranë banesës së saj në Marzahn, ndërsa prindërit në lagje kanë shprehur shqetësimin për sigurinë e fëmijëve të tyre.

Për momentin, autoritetet po përpiqen të zbardhin çdo lëvizje të vajzës pas largimit nga banesa dhe të përcaktojnë se si përfundoi në shtëpinë e braktisur në Brandenburg.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular