Artistja e mirënjohur u vlerësua për kontributin e saj shumëvjeçar në ruajtjen, pasurimin dhe promovimin e këngës popullore dibrane dhe shqiptare.
Këngëtarja e mirënjohur Vera Laçi u nderua në Peshkopi me titullin “Qytetare Nderi e Bashkisë Dibër”, një prej vlerësimeve më të rëndësishme që i akordohet personaliteteve që kanë dhënë kontribut të veçantë në jetën kulturore dhe artistike të Dibrës.
Me një karrierë artistike që nis që prej viteve ’70, Vera Laçi është një prej zërave përfaqësues të këngës dibrane. Për dekada me radhë, ajo ka kontribuar në ruajtjen dhe përcjelljen e këngës popullore, duke sjellë në skenë me origjinalitet traditën, folklorin dhe identitetin kulturor të Dibrës.
Titulli iu akordua për kontributin e saj të rëndësishëm në muzikën popullore shqiptare dhe për mënyrën dinjitoze me të cilën ka përfaqësuar ndër vite Dibrën dhe vlerat e saj artistike.
Momenti i marrjes së titullit ishte veçanërisht emocionues për artisten. Vera Laçi nuk e fshehu emocionin, ndërsa fjalët e saj krijuan një prej momenteve më të ndjera të ceremonisë, duke prekur edhe publikun e pranishëm në sallën e QKF “Naim Plaku”.
Në ceremoni morën pjesë artistë të shumtë, personalitete të jetës kulturore, mësues, përfaqësues institucionesh, miq dhe bashkëpunëtorë të artistes. Një pjesë e tyre kishin ardhur posaçërisht nga Tirana për të qenë të pranishëm në këtë ditë të veçantë.
Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu, vlerësoi lart kontributin e Vera Laçit në këngën dibrane, duke theksuar se ky vlerësim për artisten duhej të ishte bërë prej kohësh.
Ceremonia u shoqërua edhe me interpretime artistike nga Lirim Hoxha, Altin Sulku, Agim Skarra, Lirie Rasha, Fatjon Dervishi dhe artistë të tjerë, duke i dhënë aktivitetit një atmosferë festive dhe emocionale.
Titulli “Qytetare Nderi e Bashkisë Dibër” iu akordua Vera Laçit me vendimin nr. 31, datë 17 qershor 2026, duke kurorëzuar me një vlerësim të veçantë një karrierë të gjatë artistike dhe një kontribut të rëndësishëm në historinë dhe trashëgiminë e këngës dibrane.










