Një incident i frikshëm është shënuar gjatë një fluturimi të British Airways nga Londra drejt Çikagos mesditën e së hënës, 5 tetor, pasi një avion humbi rreth 8.200 metra lartësi brenda vetëm shtatë minutash dhe shpalli gjendjen e emergjencës për shkak të një “problemi teknik” ende të papërcaktuar.
Pesë orë më vonë, avioni u kthye në Londër dhe kreu një ulje emergjente në aeroportin Heathrow.
Sipas faqes së monitorimit të fluturimeve FlightAware, avioni Boeing 777 u ngrit në orën 12:15 sipas kohës lokale, ndërsa rreth 30 minuta më vonë nisi të humbiste me shpejtësi lartësi teksa fluturonte mbi Irlandë.
Në atë moment, avioni ndodhej në një lartësi prej rreth 10.973 metrash, por brenda vetëm shtatë minutash zbriti në 2.743 metra.
Më pas, avioni ndryshoi drejtim dhe fluturoi për rreth katër orë mbi Kanalin e Bristolit, një hapësirë detare në perëndim të Anglisë, përpara se të ulej i sigurt në aeroportin Heathrow të Londrës rreth orës 17:00 sipas kohës lokale.
Në një deklaratë, British Airways tha: “Avioni u ul i sigurt pasi pilotët tanë, të trajnuar në mënyrë të specializuar, u kthyen në Heathrow për shkak të një problemi teknik. Pasagjerët zbritën normalisht nga avioni dhe ekipet tona po punojnë për të rikthyer planet e tyre të udhëtimit në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur”.
Pasagjerët pritet të akomodohen në hotele nga kompania ajrore, deri në organizimin e një fluturimi tjetër, në përputhje me rregullat e Autoritetit të Aviacionit Civil të Mbretërisë së Bashkuar.
Ndërkohë, Shërbimi Kombëtar Britanik i Trafikut Ajror (NATS) ishte në qendër të kritikave muajin e kaluar, pasi dy probleme teknike brenda një periudhe prej dy javësh shkaktuan vonesa të konsiderueshme në disa aeroporte të Mbretërisë së Bashkuar dhe çuan në anulimin e qindra fluturimeve.







