Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, të japë dorëheqjen nga posti, raporton CNBC.
Lajmi u konfirmua të martën nga sekretarja e re e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, gjatë konferencës së saj të parë për mediat.
“Ne i kemi kërkuar ambasadores Guilfoyle të japë dorëheqjen”, deklaroi Zacharia, duke konfirmuar kështu se administrata e presidentit Donald Trump ka vendosur të kërkojë largimin e saj nga Athina.
“Ajo ka qenë një aset i shkëlqyer për ekipin dhe i urojmë gjithë të mirat”, shtoi sekretarja e shtypit, pa dhënë hollësi të tjera mbi arsyet e vendimit.
Sipas CNBC-së, pozicioni i Guilfoyle ishte vënë nën presion pas një serie artikujsh kritikë për sjelljen dhe aktivitetin e saj para dhe pas marrjes së detyrës si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Greqi.
Vetëm një ditë më parë, Trump kishte sinjalizuar publikisht se po shqyrtonte të ardhmen e saj në detyrë.
I pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë nëse po mendonte shkarkimin e ambasadores, Trump ishte përgjigjur: “Po e shqyrtojmë”.
“Po, nuk jemi të kënaqur”, kishte shtuar presidenti amerikan.
Guilfoyle, e cila më herët ka qenë e fejuar me djalin e madh të presidentit, Donald Trump Jr., është përballur javët e fundit me vëmendje të shtuar publike pas raportimeve mbi aktivitetin e saj diplomatik dhe sjelljen gjatë mandatit në Athinë.
Katie Zacharia nuk sqaroi nëse Guilfoyle ka pranuar tashmë të largohet nga posti dhe as se kur mund të përfundojë zyrtarisht mandati i saj.
Një përfaqësues ligjor i Guilfoyle nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së CNBC-së për koment pas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë.







