Një ngjarje tronditëse është regjistruar pasditen e së hënës në Cinisello Balsamo, në periferi të Milanos, ku një grua që kishte dalë për shëtitje me qenin e saj ka gjetur një foshnjë të porsalindur të braktisur brenda një qeseje.
Sipas mediave italiane, gruaja u afrua pasi dëgjoi rënkime të dobëta që vinin nga një qese e lënë mes pemëve. Brenda saj zbuloi një djalë të porsalindur, të mbështjellë me një copë pëlhure, i cili kishte ende placentën të lidhur.
Ngjarja ndodhi më 12 tetor, në zonën mes rrugëve Monte Ortigara dhe Pasubio. Alarmi u dha rreth orës 16:15, ndërsa gruaja njoftoi menjëherë shërbimet e emergjencës.
Në vendngjarje mbërritën ekipet mjekësore të urgjencës 118, të cilat i dhanë foshnjës ndihmën e parë dhe më pas e transportuan drejt një strukture spitalore në Milano.
Rasti ka tronditur zonën, ndërsa rrethanat në të cilat foshnja u la e braktisur mbeten për t’u sqaruar nga autoritetet.







