Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me videot e publikuara në rrjetet sociale, ku pretendohej se disa persona civilë kishin shoqëruar me forcë një shtetase. Në reagimin e saj, policia sqaron se personi i shoqëruar është mashkull dhe se veprimi është kryer nga punonjës të Policisë Kriminale.
Sipas policisë, shoqërimi është bërë në kuadër të veprimeve për identifikimin dhe shoqërimin e personave të dyshuar për përfshirje në veprime të kundërligjshme gjatë protestës. Blutë shprehen se ky shtetas dyshohet se drejtonte tubuesit dhe gjuante me zare metalikë ndaj punonjësve të policisë dhe institucioneve.
Ndërkohë, lidhur me fotografitë dhe videot e shpërndara në rrjetet sociale, ku shihen mjete metalike me shufra hekuri që dyshohet se janë përdorur në vend të shkopinjve të gomës, policia bën me dije se këto mjete u janë sekuestruar katër protestuesve të maskuar.
Gjithashtu, Policia e Shtetit njofton se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar për sulmin ndaj Qendrës Studentore, mbrëmjen e djeshme.
Njoftimi i Policisë:
REAGIM I DREJTORISË VENDORE TË POLICISË TIRANË
Në lidhje me disa video të publikuara në rrjetet sociale, ku pretendohet se disa civilë kanë shoqëruar me forcë një shtetase, Policia e Tiranës sqaron se personi i shoqëruar është mashkull dhe jo femër.
Shoqërimi është kryer nga punonjës të Policisë Kriminale, në kuadër të veprimeve të ndërmarra për identifikimin dhe shoqërimin e personave të dyshuar për përfshirje në veprimet e kundërligjshme gjatë protestës, pasi dyshohet se ky shtetas drejtonte tubuesit dhe gjuante me zare metalikë punonjësit e Policisë dhe institucionet.
Gjithashtu, në lidhje me pretendimet e publikuara në rrjetet sociale se punonjësit e Policisë kanë përdorur kavo metalike, Policia e Tiranës bën me dije se kavot e publikuara në media u janë kapur paraditen e datës 15.10.2026 katër të rinjve të maskuar, të cilët po shkonin në protestë për të goditur protestuesit. Policia e Tiranës nuk përdor të tilla mjete, pasi llojet e mjeteve që përdor janë të standardizuara me ligj dhe procedura standarde.
Ndërkohë, sqarojmë se një grup protestuesish të maskuar, në orët e mbrëmjes së datës 15.10.2026, kanë shkuar në Qendrën Studentore dhe kanë thyer xhamat dhe dyert e godinave të Qendrës Studentore në Qytet Studenti. Policia ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Njëkohësisht, sqarojmë opinionin publik se asnjë punonjës policie nuk ka dhënë dorëheqjen dhe nuk ka asnjë urdhër për ushtrimin e dhunës ndaj personave të shoqëruar.
Policia e Tiranës shpreh keqardhjen për përhapjen e këtyre lajmeve dashakeqe, me qëllim krijimin e një klime konfliktuale mes Policisë dhe protestuesve. Policia e Tiranës respekton dhe garanton të drejtën për të protestuar paqësisht dhe u bën apel pjesëmarrësve në tubime të distancohen nga personat e dhunshëm dhe të maskuar, të cilët po sulmojnë punonjësit e Policisë, institucionet shtetërore dhe pronën publike e private.
Gjatë tubimit të datës 15.10.2026, si pasojë e dhunës, janë dëmtuar 22 punonjës policie. Gjithashtu, janë dëmtuar institucione, objekte private dhe bankare, si dhe është dëmtuar sinjalistika rrugore.







