Banka e Shqipërisë bën me dije se është në komunikim të vazhdueshëm me bankat tregtare
Banka e Shqipërisë ka reaguar përmes një deklarate për shtyp lidhur me zhvillimet e fundit në vend dhe incidentet e regjistruara ndaj disa degëve bankare dhe bankomatëve (ATM), të cilat kanë shkaktuar dëme materiale dhe kufizime të përkohshme në ofrimin e shërbimeve.
Institucioni thekson se po e ndjek me vëmendje dhe shqetësim situatën, ndërsa nënvizon se siguria e qytetarëve, klientëve dhe punonjësve të institucioneve financiare mbetet përparësi.
Banka e Shqipërisë siguron qytetarët se depozitat dhe kursimet e tyre në sistemin bankar janë të sigurta dhe nuk rrezikohen nga dëmtimet fizike të ambienteve të disa degëve. Sipas deklaratës, shërbimi i pagesave ka vijuar të funksionojë normalisht dhe pa ndërprerje, duke garantuar vazhdimësinë e transaksioneve dhe përmbushjen e nevojave të bizneseve dhe familjeve.
Institucioni sqaron se kufizimet e përkohshme në disa degë bankare lidhen me nevojën për të garantuar sigurinë fizike të punonjësve dhe klientëve. Në këtë kuadër, qytetarëve dhe bizneseve u bëhet thirrje të ndjekin njoftimet zyrtare të bankave përkatëse dhe të përdorin kanalet alternative të shërbimit bankar, kur është e nevojshme.
Banka e Shqipërisë bën me dije se është në komunikim të vazhdueshëm me bankat tregtare dhe institucionet përkatëse për të monitoruar situatën dhe masat e marra për mbrojtjen e personave dhe infrastrukturës bankare. Ajo thekson se dëmtimet e ambienteve fizike nuk cenojnë qëndrueshmërinë financiare të bankave dhe as sigurinë e depozitave të klientëve.
Në deklaratë, Banka e Shqipërisë u bën thirrje qytetarëve që, gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre për protestë paqësore, të respektojnë dhe të mbrojnë institucionet bankare, ambientet, infrastrukturën dhe punonjësit e tyre. Sipas institucionit, ruajtja e këtyre strukturave është thelbësore për garantimin e shërbimeve që u nevojiten qytetarëve dhe bizneseve, si dhe për vijimësinë e aktivitetit ekonomik.
Banka e Shqipërisë nënvizon se sistemi bankar përbën një shtyllë të rëndësishme të ekonomisë, pasi lidhet drejtpërdrejt me pagat, pensionet, kursimet e familjeve, pagesat e bizneseve dhe investimet. BSH siguron se do të vijojë të ndjekë me përgjegjësi zhvillimet dhe të bashkëpunojë me autoritetet përkatëse për të garantuar funksionimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit bankar, duke theksuar se besimi dhe siguria e qytetarëve mbeten themeli i stabilitetit financiar.







