Këngëtarja Rozana Radi ka treguar se një aksident gjatë aktivitetit fizik i ka shkaktuar dëmtim në syrin e djathtë, duke shpjeguar edhe arsyen pse kohët e fundit është shfaqur më rrallë në publik dhe në rrjetet sociale.
Përmes disa fotografive në Instagram, artistja ka treguar lëndimin, ndërsa ka bërë të ditur se po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor. Në njërën prej pamjeve, syri i saj duket i ënjtur dhe i skuqur, ndërsa në një tjetër ajo shfaqet duke bërë shenjën e fitores.
“Më pyesni pse mbaj syze këtë periudhë dhe përse nuk dal shpesh as në ekran, as në Instagram. Siç mund ta shihni, gjatë aktivitetit fizik rrëshqita dhe pësova një dëmtim në zonën e syrit të djathtë. Po ndiqem nga mjekët e spitalit dhe ndërkohë pres të rikuperohem e të vazhdoj aktivitetet e mia”, ka shkruar ajo.

Radi ka bërë të ditur se gjendja e saj po ndiqet nga mjekët dhe se pjesa më e vështirë tashmë ka kaluar.
“Më e keqja ka kaluar tashmë. Faleminderit për interesimin”, ka shtuar këngëtarja.
Pavarësisht lëndimit, ajo nuk i ka ndërprerë angazhimet profesionale. Artistja ka treguar se ka vijuar xhirimet, edhe pse duhej të shmangte makijazhin për rreth një muaj.
“Kam xhiruar me këtë sy që shikoni. Nuk duhet të isha lyer për një periudhë njëmujore, por datat ishin të caktuara dhe duhej të xhiroja patjetër”, ka treguar ajo.

Sa i përket pjesëmarrjes në festivalin “Kënga Magjike”, Rozana ka qenë e prerë se dëmtimi nuk do ta pengojë të ngjitet në skenë. Ajo ka theksuar se do të vazhdojë përgatitjet dhe se lëndimi nuk do të ndikojë në këngën apo performancën e saj.
“Për të gjithë kureshtarët ose ‘keqdashësit’, dua t’ju them se jo vetëm me syrin e lënduar, por edhe me një sy të vetëm nuk do të tërhiqesha nga Festivali i Këngës Magjike. Jam ende shumë e ënjtur dhe do të më duhet kohë që gjithçka të kthehet në normalitet, por kjo nuk e ndryshon as këngën, as performancën e saj”, është shprehur ajo.
Me këtë reagim, Rozana Radi ka sqaruar se pjesëmarrja në “Këngën Magjike” mbetet në programin e saj, pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga aksidenti.







