HomeOP EDDekalogu i Ramë Shkatërruesit ka dhjetë mega-“bëma” të tij/Nga Bujar Leskaj

Dekalogu i Ramë Shkatërruesit ka dhjetë mega-“bëma” të tij/Nga Bujar Leskaj

Advertismentspot_img

Nga Bujar Leskaj

Kryeministri më famëkeq dhe i zi në historinë e Shqipërisë ka dhjetë mega-“bëma” të tij, me të cilat meriton epitetin “Shkatërruesi masiv” i vendit të vet, si më poshtë:

1. Shkatërrues i Kushtetutës dhe rolit të saj garant, nën trysninë e pushtetit të sektit Rama, duke e dobësuar gati në zerim shtetin e së drejtës te ne.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk është një dokument ceremonial dhe as një pengesë që shumica qeverisëse mund ta anashkalojë kur i vështirëson vendimmarrjen. Edi Rama ka realizuar në 13 vjet një vendimmarrje politike, e cila ka mbizotëruar, mbi arsyetimin kushtetues dhe ligjor. Institucionet kushtetuese të kontrollit i ka trajtuar si pengesa për qeverisjen, jo si garanci të demokracisë.

2. Shkatërrues i rolit të Kuvendit si kontrollues dhe vënës së qeverisë para përgjegjësisë. Një shtet demokratik ka nevojë për institucione që mund t’i thonë jo qeverisë, për një Kuvend që kërkon llogari dhe për mekanizma kontrolli që funksionojnë, pavarësisht interesave të shumicës.

Rama e ka shndërruar Kuvendin nga një institucion kontrolli, në një instrument miratimi të vendimeve të ekzekutivit, në një noter të rëndomtë!

Ka zeruar rolin kritik dhe llogari-kërkues të interpelancave dhe komisioneve hetimore parlamentare.

Nën trysninë e Ramës, Kuvendi jo vetëm nuk e ka kontrolluar efektivisht qeverinë, por ka humbur edhe funksionin e vet më të rëndësishëm demokratik: t’i kërkojë llogari pushtetit në emër të qytetarëve.

3. Shkatërrues i pasurisë publike, përmes koncesioneve, PPP-ve dhe mekanizmit korruptiv të Ligjit për Investitorin Strategjik.

Pasuritë publike, tokat shtetërore, infrastruktura dhe kontratat koncesionare janë pronë ekonomike e qytetarëve. Ato duhet të administrohen për të maksimizuar interesin publik, konkurrencën, punësimin dhe të ardhurat e shtetit.

Rama ka bërë të kundërtën. I ka përdorur koncesionet, partneritetet publike-private (PPP), dhe mekanizmin e investimeve strategjike për t’u shërbyer oligarkëve të sektit të tij në pushtet, duke mbytur konkurrencën e barabartë, me rreziqet financiare të transferuara tek Buxheti i Shtetit, ndërsa përfitimet private mbeten të garantuara, duke realizuar kontrata ku mungon transparenca mbi kostot dhe rezultatet.

Ka injoruar në vijimësi qëllimisht zërat kritikë të opozitës, partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile, që kërkonin një auditim të plotë të kostos së kontratave koncesionare dhe PPP-ve gjatë gjithë ciklit të tyre, transparencë të plotë mbi procedurat e konkurrimit dhe kriteret e përzgjedhjes së operatorëve, për detyrimet kontingjente që kontratat krijojnë për buxhetin e shtetit, si dhe të marrëveshjeve për përdorimin e tokave dhe aseteve publike nga investitorët strategjikë.

4. Shkatërues i sigurisë së vendit, përmes politizimit të skajshëm të Policisë së Shtetit dhe mega-skandalit me SHISH dhe ish-drejtuesen e saj Vlora Hyseni, që po hetohet nga SPAK për lidhje me krimin e organizuar.   

Siguria kombëtare mbështetet te profesionalizmi i shërbimeve të inteligjencës, integriteti i policisë, besueshmëria e institucioneve dhe aftësia e shtetit për të mbrojtur interesat e veta strategjike.

Kur policia perceptohet si e politizuar, kur emërimet në institucionet e sigurisë vihen në dyshim dhe kur shfaqen akuza për ndikime të krimit të organizuar në autoritetet më të larta të sigurisë kombëtare, dëmtohet rëndë besimi publik dhe dobësohet deri afër zerimit, autoriteti i Shtetit.

5. Shkatërrues i politikave kombëtare, përmes nxitjes dhe bashkëautorësisë, së bashku me autokratin tjetër të Ballkanit Perëndimor, Aleksandër Vuçiç, të nismës famëkeqe Ballkani i Hapur. Bashkautor i izolimit të Kosovës, përmes kësaj nisme dhe qëndrimeve të tjera skandaloze në dëm të faktorit shqiptar në rajon.

6. Tentues për shkatërrimin e opozitës kryesore të vendit, Partisë Demokratike, përmes ndikimit në rrjetet e lidhura me George Soros për të goditur liderin  e opozitës, si dhe përmes mega-skandalit McGonigal, për të goditur sërisht Partinë Demokratike.

Një qeveri demokratike nuk ka frikë nga opozita. Ajo i përgjigjet kritikës me argumente, rezultate dhe llogaridhënie, dhe jo me puçe të tipit Soros apo McGonigal. Tentativa për të shkatërruar Partinë Demokratike nuk është fitore e demokracisë, por një goditje e shëmtuar dhe e përbindshme, që kërkon të dobësojë mundësinë e qytetarëve për të zgjedhur një alternativë ndaj pushtetit të sotëm autokratik të Ramës.

7. Gjenerues i retorikës boshe për integrimin europian, përmes largimit të vëmendjes ndaj standardeve të matshme që kërkon Brukseli.

Integrimi europian është projekti strategjik më i rëndësishëm i Shqipërisë pas vendosjes së pluralizmit. Ai nuk është thjesht paradë vizitash dhe takimesh, apo një slogan që mund të përdoret për të justifikuar çdo vendim qeveritar.

Anëtarësimi në Bashkimin Europian kërkon institucione të pavarura, drejtësi efektive, luftë kundër korrupsionit, konkurrencë ekonomike, administratë profesionale dhe mbrojtje të të drejtave themelore.

Rama nuk ka plotësuar asnjë nga këto kërkesa-kushte!

Europa nuk është destinacioni i një partie. Është standardi që duhet të mbrojë çdo qeveri dhe çdo institucion shqiptar.

8. Nxitës dhe ideator i fshehur i shpopullimit masiv të vendit të tij, duke sjellë krizën më të rëndë të kapitalit njerëzor që ka njohur Shqipëria.

Nëse ka një problem që rrezikon të përcaktojë të ardhmen afatgjatë të Shqipërisë, ai është humbja e popullsisë dhe largimi i të rinjve dhe profesionistëve, me një ritëm të frikshëm në 13 vitet e fundit.

9. Realizues i kanabizimit të vendit nga viti 2014, duke sjellë lulëzimin e bandave dhe krimit të organizuar, të përdorura për të gjeneruar vota dhe ndikim. Zgjerimi i kultivimit të kanabisit në Shqipëri, veçanërisht gjatë viteve pas vitit 2014, përbën një sfidë serioze për rendin publik, ekonominë dhe besueshmërinë e institucioneve.

10. Gjenerues i përçarjes së thellë sociale dhe politike të shoqërisë shqiptare, përmes krizës së arsimit dhe injorimit të plotë të kërkesave të drejta të studentëve, që e kanë sjellë vendin në prak të shkatërrimit.  

Edi Rama është ideator dhe realizues i korrupsioni sistemik dhe i mungesës së plotë të llogaridhënies, duke gjeneruar krizën që i ushqen të gjitha të tjerat!

Korrupsioni nuk është vetëm marrje ryshfeti. Ai përfshin edhe konfliktin e interesit, favorizimin në tendera, hartimin e rregullave që krijojnë privilegje, mungesën e plotë të transparencës dhe përdorimin e burimeve publike për përfitime private.

Kur pushteti nuk pranon të kontrollohet, korrupsioni gjen terrenin më të favorshëm për t’u kthyer nga përjashtim, në mënyrë funksionimi.

xxx

Edi Rama, Shqipëria nuk mund të jetë peng i asnjë karrigeje politike, aq më pak i tëndes!

Shqipëria ka nevojë për një kthesë të thellë në mënyrën e ushtrimit të pushtetit. (Keq)-qeverisja jote 13 vjeçare sjell një përgjegjësi të rëndë dhe të jashtëzakonshme për gjendjen mjerane sot të institucioneve dhe administratës publike të paralizuara nga patronazhistët e tu.

Pas trembëdhjetë vitesh të sektit tënd në pushtet, vazhdojnë tek ne shqetësime madhore për korrupsionin sistematik, për pavarësinë e munguar institucionale, për emigrimin masiv, për cilësinë e dobët të shërbimeve publike dhe të arsimit.

Edi Rama, në një demokraci, asnjë kryeministër nuk është i pazëvendësueshëm. Asnjë parti nuk e zotëron shtetin. Asnjë shumicë parlamentare nuk mund ta trajtojë mandatin elektoral si autorizim të pakufizuar.

Protestat paqësore qytetare për 135 ditë dhe revolta e zemërimi qytetar në 14 ditët e fundit e kanë vendosur Shqipërinë përballë një krize të re madhore me një rrugëdalje të vetme: largimin tënd. Reflekto sa nuk është ende shumë vonë. Dorëheqja jote rivendos rendin kushtetues, përgjegjësinë individuale për çdo akt të paligjshëm, dialogun demokratik dhe funksionimin e institucioneve.

Shqipëria nuk mund të digjet për të mbrojtur karrigen tënde! Shqipëria nuk do ta ndërtojë të ardhmen e saj, duke u shkatërruar në mbrojtje të një kulti pushteti personal, si tëndit!

 

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular