Një i ri shqiptar, Rogert Ajdini, vetëm 20 vjeç, ka humbur jetën në mënyrë tragjike gjatë një aksidenti në vendin e punës në Valtopina të Italisë.
I riu, me banim në Trevi, po merrte pjesë në punimet për asfaltimin e rrugës “Santa Cristina” — një projekt publik i Bashkisë së Valtopinës i besuar një kompanie të specializuar — kur mjeti rul asfaltues që ai po drejtonte u përmbys për shkaqe ende të pasqaruara, duke e zënë poshtë.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të kolegëve, shërbimeve të emergjencës, zjarrfikësve dhe helikopterit të shpëtimit, 20-vjeçari ndërroi jetë në vendngjarje për shkak të plagëve të rënda. Karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të përmbysjes së mjetit të rëndë.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe kryetari i Bashkisë së Valtopinës, Gabriele Coccia, i shprehu ngushëllimet familjes për këtë humbje tragjike. Vdekja e Ajdinit pason një seri aksidentesh fatale në punë në Itali, ku brenda vetëm tri ditësh është shënuar bilanci i zi prej shtatë punëtorësh të vdekur, duke rindezur debatin publik mbi sigurinë në punë.







