Policia e Shtetit ka zbardhur vrasjen e ndodhur në muajin Maj në Sarandë, ku mbeti i vrarë në lokalin e tij shtetasi Rexhep Ismaili. Për ngjarjen, janë arrestuar në shtetin grek dy persona, njëri që dyshohet të jetë vrasësi, dhe një tjetër i përshirë në konfliktin që i parapriu krimit të rëndë.
Mësohet se në pranga kanë rënë shtetasit Lulëzim Tabaku, 37-vjeç për të cilin Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”, kryer në bashkëpunim.
Si dhe shtetasi Idriz Çelo, për të cilin Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
NJOFTIMI I POLICISË
Policia e Shtetit/Finalizohet si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me homologët grekë, një tjetër fazë e operacionit të koduar “The Wanted”.
Kapet në Greqi autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit R. I., kryer më datë 07.05.2026, në ambientet e lokalit të viktimës, në fshatin Gjashtë, Sarandë.
Kapet në Greqi edhe një shtetas i përfshirë në konfliktin me sende të forta që parapriu vrasjen e 66-vjeçarit. I ndaluari përdorte identitet të rremë, për qendrim në ishullin e Korfuzit.
Si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional, ndërmjet homologëve të Drejtorisë së Interpolit dhe Interpol Athinës, gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Ëanted”, u arrestuan provizorisht, në Greqi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit në kërkim:
-L. T., 37 vjeç, për të cilin Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”, kryer në bashkëpunim;
-I. Ç., 40 vjeç, për të cilin Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Nga hetimet dyshohet se më datë 07.05.2026, 37-vjeçari ka vrarë me armë zjarri (pistoletë), shtetasin R. I., 66 vjeç, në ambientet e lokalit të këtij të fundit, pas një konflikti me sende të forta, ndërmjet disa shtetasve, ndër ta, 40-vjeçari i kapur në Korfuz.
Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me këtë rast.
Ndërkaq, në bashkëpunim me homologët grekë, Interpol Tirana po punon për finalizimin e procedurave për ekstradimin në Shqipëri, të 2 të ndaluarve.







