Kıvanç Tatlıtuğ, aktori që publiku shqiptar e njeh për personazhet plot karakter që ka interpretuar në disa seriale të transmetuara nga TV Klan ndër vite, ka festuar 43-vjetorin e lindjes, ndërsa bashkëshortja e tij, Başak Dizer, i ka bërë një urim plot dashuri në rrjetet sociale.
Stilistja publikoi disa fotografi me aktorin, duke i kushtuar fjalët: “Gëzuar ditëlindjen, dashuri”. Dedikimi i saj tërhoqi vëmendjen e ndjekësve, të cilët reaguan ndaj momenteve romantike të çiftit.

Historia e dashurisë së Kıvanç dhe Başak nisi gjatë xhirimeve të serialit “Kurt Seyit ve Şura”, ku ajo punonte si stiliste. Pas disa vitesh lidhjeje, ata u martuan në Paris, në shkurt të vitit 2016, duke nisur një jetë të përbashkët larg vëmendjes së tepërt mediatike.
Në prill të vitit 2022, çifti u bë prindër i një djali, Kurt Efe. Që prej atëherë, aktori dhe bashkëshortja e tij janë treguar të rezervuar për jetën familjare, duke zgjedhur të mos e ekspozojnë shpesh të birin në publik.
Megjithatë, fama e aktorit dhe interesi i madh për jetën e tij personale kanë nxitur herë pas here edhe thashetheme për një krizë në martesë. Başak Dizer i ka mohuar më parë pretendimet për ndarje.
Për publikun shqiptar, Kıvanç Tatlıtuğ mbetet një nga fytyrat më të dashura të serialeve turke, jo vetëm përmes rolit të Xhesurit në serialin “Xhesuri dhe e bukura”, por edhe si Asllani në serialin “Familja”, të transmetuar në TV Klan.
Ndërsa në ekran është mësuar ta shohë mes pasioneve të forta, konflikteve dhe dramave familjare, në jetën reale aktori duket se po shijon një tjetër rol: atë të bashkëshortit dhe babait.







