HomeOP EDShndërrimi i Edi Ramës nga autokrat në diktator, në optikën e librit...

Shndërrimi i Edi Ramës nga autokrat në diktator, në optikën e librit “Si vdesin demokracitë/nga Bujar Leskaj

Advertismentspot_img

nga Bujar Leskaj

Në një bisedë/diskutim miqësor me gazetarin, eseistin, kritikun, autorin e disa librave, Agim Baçi, për librin “Si vdesin demokracitë” (botimi shqip, 2018), me autorë Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt, analizuam se si autorët i referohen veprës “The Breakdown of Democratic Regimes”, (botuar në vitin 1978), e cila thekson rolin e politikanëve dhe tregon se si sjellja e tyre mund ta përforcojë demokracinë ose ta çojë atë drejt rrezikut (temë të cilën do e trajtoj në një shkrim-analizë më të plotë)

Në këtë libër trajtohet një grup prej katër treguesish, të paraqitur përmes të ashtuquajturit “testi i lakmusit-litmus test” ( fq.33.77, 84, ), të cilët përbëjnë njëkohësisht shenja paralajmëruese që na ndihmojnë të identifikojmë një politikan autoritar. Vlen të theksohet se, siç përcaktohet qartë në libër, shumë politikanë nuk e shfaqin shkallën e plotë të autoritarizmit përpara se të marrin pushtetin. Disa prej tyre i përqafojnë dhe i mbështesin normat demokratike në fillimet e karrierës së tyre, për t’i braktisur më vonë dhe për t’u shndërruar në figura autoritare.

Treguesit e trajtuar në këtë vepër, e cila përbën një referencë të rëndësishme në analizën e politikës dhe të demokracisë, mund të shërbejnë si pikënisje për të vlerësuar sjelljen e politikanëve në pushtet. Në këtë kontekst, miratimi i paketës së re ligjore e propozuar nga Edi Rama më 25 tetor 2026 me 6 instrumente “kundër dhunës” është objekti më tipik i këtij vlerësimi, pasi sjellja e tij politike, në veçanti në propozimin e kësaj pakete ligjore, shfaq tipare që përputhen me të katër treguesit e autoritarizmit të përshkruar në libër. Kjo ngre pikëpyetje dhe shqetësime për drejtimin në të cilin po zhvillohet demokracia në Shqipëri.

Sipas autorëve, edhe prania e njërit prej këtyre treguesve duhet të përbëjë arsye për shqetësim. Kur disa prej tyre shfaqen njëkohësisht, nevoja për të vlerësuar me kujdes sjelljen e një politikani bëhet edhe më e madhe.

(1.)Refuzon ose angazhohet pak për respektimin e rregullave demokratike të lojës ( fq.34); (2.) Mohon legjitimitetin e kundërshtarëve politikë (fq.34, fq.77); (3.)Toleron ose inkurajon dhunën (fq.35, fq.77)

(4.) Tregon vullnet për t’i kufizuar liritë civile të kundërshtarëve, përfshirë edhe median (fq.35, fq.79, fq.82). Te ky tregues, prova më e qartë është precedenti që autokrati Rama po bën me propozimet e paketës së re ligjore e propozuar prej tij, me pretekstin e “instrumentit kundër dhunës”, por që në thelb është vet dhuna që kreu i sektit kërkon të aplikojë ndaj parimeve dhe rendit Kushtetues.

Me paketën e re ligjore, autokrati Rama i përmbush të gjitha sjelljet që përcaktohen nga katër treguesit e testit te lakmusit. Kjo paketë antikushtetuese dhe tërësisht në kundërshtim me intetesin publik, e paraqitur gjoja si një instrument kundër dhunës, bën që Edi Rama të ketë kaluar nga ushtrimi i një qeverisjeje gjithnjë e më autoritare, në atë të një pushteti që kërkon të kontrollojë jo vetëm sjelljen e studentëve dhe kundërshtarëve, por edhe hapësirën e ushtrimit të të drejtave të tyre themelore kushtetuese.

Vendimet parashikojnë ashpërsimin e gjobave, kufizime të përkohshme të tubimeve, krijimin e një regjistri për personat e dyshuar për veprime të dhunshme, pa patur asnjë vendim gjykate të formës së prerë për ta, si dhe kontrolle të reja në kufi.

Këto masa ngrejnë pikëpyetje serioze për respektimin e lirisë së lëvizjes së qytetarit, edhe ajo e garantuar nga Kushtetuta e Shqipërisë.

I.Nga gjoja mbrojtja e rendit publik tek mbrojtja e karriges së pushtetit

Nëse autokracia karakterizohet nga përqendrimi i pushtetit, dobësimi i kontrollit institucional dhe kufizimi i konkurrencës politike, diktatora shfaqet kur pushteti fillon ta trajtojë kundërshtimin si kërcënim që duhet neutralizuar, në vend që ta pranojë si pjesë të natyrshme të demokracisë.

Pikërisht këtu qëndron shqetësimi që ngre paketa e re ligjore. Në vend që të ndërtojë një mekanizëm të balancuar për parandalimin dhe ndëshkimin e dhunës, ajo rrezikon të krijojë instrumente që do të përdoren për të kufizuar protestën e ligjshme dhe mbarëkombëtare studentore, për të frikësuar qytetarët dhe për të dekurajuar organizimin e kundërshtimit politik.

Lufta gjoja kundër dhunës po përdoret si justifikim për të zgjeruar pushtetin e qeverisë mbi liritë demokratike. Një qeveri demokratike ndëshkon veprën e paligjshme. Një qeveri autoritare me prirje të hapura diktatoriale si kjo e Ramës, provon të ndëshkojë në djep edhe mundësinë e kundërshtimit. Por kurrë nuk do t’ia arrijë!

II. E drejta për tubim nuk është privilegj i qeverisë

E drejta për tubim paqësor është një nga themelet e demokracisë kushtetuese. Ajo nuk është një leje që pushteti i Ramës ua jep studentëve dhe qytetarëve, kur protestat i duken të përshtatshme dhe ua heq, kur ato bëhen politikisht të rrezikshme për të.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 47, garanton lirinë e tubimeve paqësore dhe pa armë. Edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në nenin 11, mbron lirinë e tubimit dhe të organizimit.

Më këtë paketë masash në shkeljë flagrante të Kushtetutës dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Rama e shndërron përgjegjësinë individuale për dyshim aktesh dhune me dyshim dhe ndëshkim kolektiv të protetsuesve, njëlloj si në diktarurat më të egra!.

Në këtë mënyrë, masat e paketës, që pretendohen se synojnë sigurinë publike, shndërrohen në një instrument presioni mbi të gjithë qytetarët që duan të shprehin pakënaqësinë e tyre.

Gjobat e ashpra të paketës nuk janë gjoja ndëshkim për dhunën, por frikësim i protestuesve, edhe ende pa kryer dhunë! Gjobat bëhen tejet problematike, kur janë tepër të rënda si këto të paketës së sektit Rama, kur zbatohen në mënyrë arbitrare dhe kur krijojnë një efekt frikësues mbi ushtrimin e të drejtave kushtetuese.

Një qytetar që dëshiron të protestojë duhet të ketë mundësi ta bëjë këtë, pa u përballur me frikën se një pjesëmarrje paqësore mund t’i kushtojë një shumë që nuk mund ta përballojë financiarisht.

Nëse ndëshkimi nuk bazohet në sjelljen konkrete të individit, por në një interpretim të gjerë të pranisë së tij në protestë, atëherë ligji i ri kthehet nga instrument drejtësie në instrument dekurajimi, presioni, frike dhe diktature.

Rama, duke ashpërsuar gjobat, nuk po synon gjoja të ndëshkojë ata që kryejnë akte të dhunshme, por po rreket për ta bërë ekonomikisht të rrezikshme pjesëmarrjen në protestat rinore dhe qytetare në të ardhmen!

Në një demokraci, qeveria nuk mund ta trajtojë protestën si problem, vetëm sepse ajo zhvillohet përballë institucioneve shtetërore, bllokon përkohësisht hapësira publike ose shpreh kërkesa për dorëheqjen e drejtuesve politikë.

Përkundrazi, protestat që kritikojnë qeverinë janë ndër rastet kur mbrojtja e lirisë së tubimit ka rëndësinë më të madhe. Një pushtet që kontrollon vetë kushtet në të cilat mund të kundërshtohet, bëhet palë dhe arbitër.

III. Regjistri i personave të dyshuar: ndëshkim pa vendim gjykate!

Krijimi i një regjistri për personat e dyshuar për veprime të dhunshme është një akt i pastër diktatorial, nëse regjistrimi bëhet pa një vendim gjyqësor të formës së prerë dhe nëse prej tij rrjedhin pasoja kufizuese për të drejtat e individit të dyshuar.

Këtu ngrihet një problem themelor i shtetit të së drejtës: dyshimi nuk është provë përfundimtare e fajësisë dhe regjistrimi administrativ nuk mund të zëvendësojë procesin gjyqësor.

Prezumimi i pafajësisë, i garantuar nga neni 30 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kërkon që një person të trajtohet si i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet sipas ligjit.

Rama po i shkel me këmbë të gjitha këto prerogativa, duke krijuar një regjistër të paqartë, të bazuar në dyshime dhe pa kritere të bazuara, për përfshirjen, përditësimin dhe fshirjen e të dhënave. Ky rregjistër krijon një kategori qytetarësh të shënjuar nga shteti, pse Ramë diktatori ka frikë, si djalli temjanin, urrejtjen dhe revoltën popullore!

Kush e përcakton se një person është i rrezikshëm? Cilat prova kërkohen? Kush kontrollon regjistrimin? Sa kohë ruhen të dhënat? Si mund të kërkohet korrigjimi apo fshirja e tyre? Pa përgjigje të qarta për këto pyetje, regjistri kthehet në një mekanizëm jo vetëm arbitrar, por edhe diktatorial kontrolli.

IV. Kontrollet kufitare dhe liria e lëvizjes

Rama po rrëshqet në diktaturë edhe me masat për kontrollet e reja në kufi, që synojnë të identifikojnë ose të kufizojnë lëvizjen e personave të konsideruar të dyshuar për veprime të dhunshme.

Kushtetuta shqiptare garanton lirinë e lëvizjes në nenin 38, ndërsa neni 2 i Protokollit nr. 4 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbron lirinë e lëvizjes sipas kushteve të përcaktuara aty.

Nëse një qytetar përballet me pengesa në lëvizje vetëm sepse është regjistruar si i dyshuar për pjesëmarrje në protesta ose për veprime që ende nuk janë provuar në gjykatë, atëherë problemi nuk është më vetëm çështje rendi publik. Ai prek drejtpërdrejt marrëdhënien midis individit dhe shtetit.

Liria e lëvizjes nuk mund të shndërrohet në privilegj që autoritetet e japin ose e kufizojnë sipas bindjeve politike, pjesëmarrjes në protesta apo vlerësimeve të pakontrolluara administrative.

xxx

Në thelb, çështja që ngre paketa e re ligjore nuk lidhet vetëm me nivelin e gjobave, regjistrat apo kontrollet kufitare. Ajo lidhet me një pyetje më të madhe: a po forcohen institucionet që mbrojnë qytetarin, apo po zgjerohen instrumentet pothuajse diktatoriale, që e bëjnë qytetarin më të cenueshëm përballë pushtetit?

Një ligj nuk bëhet demokratik vetëm sepse miratohet nga parlamenti. Ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, me konventat ndërkombëtare dhe me parimin se pushteti shtetëror kufizohet nga të drejtat e individit.

Edi Rama, sot që je “stolisur” me veshjen e diktatorit: kuptoje se mbrojtja e institucioneve nuk është e njëjtë me mbrojtjen e karriges tënde dhe se mbrojtja e rendit publik nuk i jep askujt të drejtën të kufizojë arbitrarisht liritë demokratike të qytetarit!

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular