Një ngjarje e pazakontë dhe tejet e rrezikshme është regjistruar në Meksikë, ku një burrë është larguar me makinën e tij pa kuptuar se kishte harruar foshnjën në shportën e saj, të vendosur mbi çatinë e automjetit. Fëmija shpëtoi pa pësuar lëndime të rënda falë ndërhyrjes së një motoçiklisti dhe këmbënguljes së kalimtarëve që u përpoqën të ndalonin shoferin.
Ngjarja ndodhi në zonën Ávila Camacho, në qytetin Torreón. Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë shportën me foshnjën mbi çatinë e makinës, ndërsa automjeti është në lëvizje. Një motoçiklist, i cili ishte dëshmitar i situatës, nisi t’i binte borisë dhe të bërtiste për të tërhequr vëmendjen e shoferit dhe për ta paralajmëruar që të ndalonte. Megjithatë, burri duket se nuk i dëgjon thirrjet dhe vijon udhëtimin.







