Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin spanjoll, pasi sulmuesi i Tenerifes, Jesus de Miguel Alameda, ka ndërruar jetë pas një incidenti të rëndë gjatë ndeshjes kundër Andorrës.
Futbollisti spanjoll nuk arriti t’u mbijetonte komplikacioneve shëndetësore që pasuan përplasjen e fortë me portierin kundërshtar, Jesus Owono. Sipas raportimeve, ai pësoi arrest kardiak dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit, ku u vendos në terapi intensive.
Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për t’i shpëtuar jetën, sulmuesi ndërroi jetë mëngjesin e së martës, më 3 nëntor.
Lajmi u bë publik nga klubi i Tenerifes, i cili përmes një mesazhi në rrjetet sociale shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e futbollistit.
Në reagimin e klubit thuhej se e gjithë familja sportive e Tenerifes ishte e tronditur nga tragjedia, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe njerëzit e afërt të lojtarit.
Klubi theksoi gjithashtu se familja e futbollistit ka falënderuar të gjithë ata që kanë shprehur solidaritet dhe mbështetje, duke kërkuar njëkohësisht respektimin e privatësisë në këto momente të vështira.
Përplasja që ndërpreu ndeshjen
Incidenti ndodhi në minutat shtesë të takimit, kur sulmuesi i Tenerifes po vraponte drejt një topi të gjatë në gjysmëfushën kundërshtare.
Portieri i Andorrës, Jesus Owono, doli nga zona e tij për të ndërhyrë, por gjatë përpjekjes për të kontrolluar topin u përplas fuqishëm me futbollistin madrilen.
Pas kontaktit, De Miguel u rrëzua në fushë dhe humbi ndjenjat, duke shkaktuar panik mes lojtarëve dhe stafit të të dyja skuadrave.
Futbollistët kërkuan menjëherë ndërhyrjen e ekipit mjekësor, i cili i dha ndihmën e parë në fushë për disa minuta.
Për shkak të gjendjes së rëndë të sulmuesit, arbitri Perez Hernandez vendosi ndërprerjen e takimit, ndërsa lojtari u transportua drejt spitalit për trajtim të specializuar.
Megjithëse u mbajt nën kujdes intensiv mjekësor, gjendja e tij nuk u përmirësua dhe një ditë pas incidentit u konfirmua ndarja e tij nga jeta.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitetin futbollistik, duke e kthyer një ndeshje sportive në një tragjedi.







