Detaje të reja kanë dalë nga vrasja makabre e Urim Fikut, që ndodhi mëngjesin e sotëm në Bulqizë. Gazetari Elton Qyno ka mësuar se policia ka sekuestruar një paisje DVR-je në shtëpinë e viktimës, e cila ishte lidhur me 3 kamera të instaluara në shtëpinë ku ndodhi krimi i rëndë.
Por teksa paisja është marrë për këqyrje, në të nuk është gjetur asnjë pamje filmike. Gazmir Fiku, 33 vjeç djali i viktimës Urim Fiku, që dyshohet të jetë dhe autori i krimit, mësohet se i ka fshirë pamjet filmike nga aparati i telefonit të tij.
Nisur nga kjo situatë, policia e Dibrës ka kërkuar ekspertimin kompjuterik të pajisjes DVR, me shpresën e rikuperimit të pamjeve filmike.
Ngjarja e rëndë dyshohet se lidhet me shkaqet e një xhelozie, që kanë pasur djali dhe gruaja për një lidhje të dyshuar sentimentale të Urim Fikut.
Në pranga u vu edhe bashëkshortja e tij 57 vjeçare Sadete Fiku. Gazmir Fiku, punonte si supervizor i OSHEE, përmbi një dekadë në këtë institucion.
Sipas policisë së Dibrës, ai së bashku me nënën e tij, është përfshirë në vrasjen e të atit dhe më pas fshehjen e ngjarjes duke e raportuar si një vdekje që kishte ardhur nga sulmi dhe më pas kafshimi i një ariu.
“Gazmir Fiku, djali i të ndjerit Urim Fiku dhe Sadete Fiku, gruaja e viktimës, u ndaluan pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse 61 vjeçarin”, tha policia lokale në komunikatën e sotme.







