Momente paniku dhe frike janë përjetuar nga banorët e pallatit 5-katësh në Elbasan, ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm që shkaktoi dëme të rënda materiale dhe humbjen e një jete.
Një prej banorëve të pallatit ka rrëfyer momentet e tmerrit, kur pasi dëgjoi shpërthimin, u nis me vrap drejt banesës për të shpëtuar nënën dhe bashkëshorten e tij.
Ai tregon se arriti t’i nxirrte të dyja nga banesa, por nuk mundi të ndihmonte persona të tjerë, pasi tymi i zi që kishte përfshirë ndërtesën e bënte të pamundur futjen në ambientet e tjera.
Banori bëri të ditur se nëna e tij ndodhet aktualisht në spital për shkak të problemeve me tensionin, ndërsa bashkëshortja është në gjendje të mirë shëndetësore.
Ai tregoi gjithashtu se kishte dëgjuar për viktimën që humbi jetën në katin e katërt, ndërsa për personin që rezulton ende i zhdukur nuk kishte informacion.
Dëshmia e plotë e banorit:
“Dëgjova zhurmën dhe u turra me vrap bashkë me shokun tim, ika në shtëpi. Shihja plakën që ishte e shtrirë, pashë edhe nusen. Kapa plakën dhe e nxora jashtë shumë shpejt, mora edhe nusen dhe e nxora nga dera tjetër. Dera e hyrjes kishte rënë në tokë, sepse unë i kam dy dyer dhe një tjetër. Doja të shpëtoja edhe të tjerët, por kishte shumë tym të zi dhe nuk hyja dot. Ka shumë dëmtime te njerëzit këtu. Më thanë se ka vdekur një grua në katin e katërt, e moshuar, për të tjerë nuk kam dëgjuar.
Në spital shkoi edhe një familje tjetër. Erdhën, por i pyeta dhe ishin mirë. Për personin që rezulton i zhdukur nuk kam informacion. Unë isha te lokali, këtu e kam shtëpinë. Sapo dëgjova shpërthimin, u nisa me vrap drejt banesës dhe nxora plakën. Madje, e kam në spital tani, nga tensioni. Nusen e kam mirë.”, ka rrëfyer banori.







