Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka reaguar pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, duke ia atribuar rezultatin kryesisht luftës dhe pakënaqësisë së votuesve ndaj politikave të administratës Trump
Në një reagim të gjatë, Vance pranoi se një pjesë e konsiderueshme e amerikanëve që votuan për Donald Trump dhe JD Vance në vitin 2024, këtë herë u kthyen kundër republikanëve dhe mbështetën demokratët.
Sipas tij, problemi nuk ishte pjesëmarrja e ulët e votuesve republikanë, por fakti se shumë prej tyre shkuan në qendrat e votimit, por nuk votuan më për partinë e tyre.
Vance: Votuesit tanë dolën të votojnë, por nuk votuan për ne
Zëvendëspresidenti tregoi se analizat e brendshme të fushatës republikane kishin sinjalizuar pakënaqësi të madhe mes votuesve që kishin mbështetur Trump në zgjedhjet e vitit 2024.
Ai përmendi bisedën me një analist të njohur të të dhënave zgjedhore, i cili e kishte paralajmëruar se republikanët mund të kishin një rezultat më të mirë nga sa parashikonin sondazhet, por se një pjesë e votuesve të tyre do të kalonin te kundërshtarët.
Vance solli si shembull edhe Floridën, ku republikanët kishin një avantazh prej nëntë pikësh në përbërjen e elektoratit krahasuar me demokratët, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.
Katër arsyet që larguan votuesit nga Trump
Sipas Vance, sondazhet kishin identifikuar katër çështje kryesore që kishin ndikuar në ndryshimin e qëndrimit të votuesve:
Përfundimi i luftës.
Ulja e kostos së jetesës dhe përballja me inflacionin.
Rikthimi te politika “Amerika e Para”.
Ndryshimi i marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Izraelin.
Sipas tij, këto katër çështje përmblidhnin thuajse të gjitha arsyet e pakënaqësisë së votuesve që ishin larguar nga republikanët.
Vance iu referua gjithashtu edhe qëndrimeve në favor të një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit, duke vlerësuar se këshilla për të ndjekur këtë rrugë ishte e drejtë.
“Të gjithë e dinë pse humbëm”
Në reagimin e tij, Vance paralajmëroi se në javët dhe muajt e ardhshëm do të ketë përpjekje për të dhënë shpjegime të ndryshme për humbjen, por këmbënguli se shkaku kryesor ishte lufta.
“Arsyeja pse humbëm është lufta. Edhe vetë presidenti e tha mbrëmë”, deklaroi ai.
Zëvendëspresidenti shtoi se kushdo që mendon se kostoja politike e luftës ia vlejti, duhet ta thotë hapur, por sipas tij, çdo diskutim serioz për të ardhmen e republikanëve duhet të nisë nga kjo e vërtetë.
Në fund, Vance u drejtua edhe votuesve të zhgënjyer të republikanëve, duke pranuar se ata kishin pasur të drejtë në paralajmërimet e tyre.
“Për ata që janë të zemëruar dhe duan të thonë ‘ne jua thamë’, keni të drejtë, na e kishit thënë”, u shpreh ai, duke i ftuar që pakënaqësinë ta kthejnë në mbështetje për kandidatë republikanë që ndajnë bindjet e tyre politike.







