HomePolitikeProtesta/PD çon në Kushtetuese "paketën antidhunë": Cenohen të drejtat e qytetarëve

Protesta/PD çon në Kushtetuese “paketën antidhunë”: Cenohen të drejtat e qytetarëve

Advertismentspot_img

PD ka kërkuar edhe thirrjen në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka depozituar sot më 6 nëntor në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e “paketës antidhunë” të qeverisë, e cila përfshin dy akte normative dhe një vendim të Këshillit të Ministrave.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se këto akte bien ndesh me Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, pasi sipas opozitës kufizojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe cenojnë liritë themelore. Përveç shfuqizimit të tyre, PD kërkon edhe pezullimin e zbatimit deri në shqyrtimin përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.

Bardhi argumentoi se Akti Normativ nr. 5/2026 i jep Policisë së Shtetit kompetenca të gjera për të kufizuar tubimet, për të larguar qytetarët nga zona të caktuara deri në 48 orë, si dhe për të kërkuar fshirjen e përmbajtjeve në rrjetet sociale që konsiderohen nxitëse të dhunës.

Sipas tij, këto kompetenca krijojnë rrezikun që kritika ndaj qeverisë dhe thirrjet për protesta të trajtohen si shkelje. “Policia duhet të zbatojë ligjin. Nuk mund të jetë njëkohësisht polici, prokurori dhe gjykatë”, u shpreh Bardhi, duke e cilësuar ndërhyrjen e qeverisë si një përpjekje për të vënë nën kontroll të drejtat e qytetarëve.

Ndërsa për vendimin e qeverisë që parashikon krijimin e një regjistri të posaçëm për personat e proceduar ose nën hetim për vepra të kryera gjatë tubimeve, Bardhi ngriti shqetësimin se mund të cenohen të dhënat personale dhe liria e lëvizjes, duke theksuar se hetimi nuk përbën provë fajësie.

Përveç betejës në Gjykatën Kushtetuese, PD ka kërkuar edhe thirrjen në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, për të dhënë llogari mbi ndalimet, gjobat dhe trajtimin e protestuesve gjatë javëve të fundit. Bardhi deklaroi se opozita nuk kundërshton ndëshkimin e personave që shkelin ligjin apo kompensimin e dëmeve, por kundërshton përgjegjësinë kolektive dhe kufizimin e protestës paqësore.

Sipas tij, qeveria nuk mund të përdorë argumentin e rendit publik për të kufizuar të drejtat kushtetuese dhe PD do të përdorë çdo instrument ligjor për mbrojtjen e tyre.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular