Vajza e re kishte ndërmarrë një proces tranzicioni gjinor, qëllimi i hetuesve është të përcaktojnë nëse kishte ndonjë episod ngacmimi pas aktit tragjik
Një 15-vjeçare ka humbur jetën pasi është rrëzuar nga kati i pestë i një pallati në veri të Romës. Ngjarja tragjike ndodhi të mërkurën, më 11 nëntor, ndërsa Prokuroria e Romës ka nisur hetimet për veprën penale të nxitjes së vetëvrasjes.
Hetimet po zhvillohen për momentin ndaj personave të paidentifikuar dhe synojnë të zbardhin rrethanat që e çuan të miturën drejt këtij akti.
Sipas raportimeve të mediave italiane, prindërit kanë deklaruar para autoriteteve se vajza po ndiqte një proces të tranzicionit gjinor. Ky vendim ishte pranuar plotësisht nga familja, por hetuesit po verifikojnë nëse e reja mund të jetë përballur me tallje apo bullizëm nga bashkëmoshatarët në shkollë.
Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë sekuestruar edhe telefonin celular të 15-vjeçares. Përmes mesazheve në aplikacionet e komunikimit dhe aktivitetit në rrjetet sociale, hetuesit synojnë të zbulojnë nëse vajza ka qenë objekt i ngacmimeve apo presionit psikologjik.
Një tjetër element që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes është edhe një shënim që e mitura dyshohet se kishte lënë në banesë para vdekjes.
Sipas Il Messaggero, shënimi i lënë në banesë përmbante një referencë ndaj një personi me të cilin 15-vjeçarja dyshohet se kishte pasur një lidhje sentimentale.
Ndërkohë, sipas Open, vajza kishte dërguar edhe mesazhe lamtumire te disa prej miqve të saj më të afërt, pa dhënë shpjegime.
Prokurori Antonio Clemente ka urdhëruar kryerjen e autopsisë, e cila pritet të realizohet në ditët në vijim në spitalin Policlinico Gemelli.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse në këtë rast ka pasur përgjegjësi të personave të tjerë.







