Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur synimin e tij që të ketë “përfunduar me Kubën” përpara përfundimit të mandatit presidencial, në janar të vitit 2029, duke lënë të hapura pikëpyetjet mbi hapat e ardhshëm të Uashingtonit ndaj Havanës.
I pyetur nëse do të shqyrtonte mundësinë e një operacioni ushtarak për “çlirimin” e vendit, presidenti amerikan shmangu dhënien e një përgjigjeje të qartë, por theksoi rolin e rëndësishëm që ka marrë përsipër sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Donald Trump bëri deklarata të reja lidhur me të ardhmen e Kubës të enjten, në një kohë kur administrata e tij po shton presionin ndaj udhëheqjes komuniste në Havanë.
Në një intervistë, presidenti amerikan u pyet nëse mund të urdhëronte një ndërhyrje ushtarake me synimin për “çlirimin” e Kubës.
“Dua ta kem përfunduar çështjen e Kubës përpara se të largohem”, u përgjigj ai, duke iu referuar përfundimit të mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë, në janar të vitit 2029.
Pa sqaruar nëse po shqyrtohet mundësia e një ndërhyrjeje ushtarake, Trump vijoi duke kritikuar ashpër situatën në ishull.
“Po e ndjekim nga shumë afër. Gjendja e saj është shumë e keqe. Në thelb, është një vend i dështuar, një shtet i dështuar, si të duash ta quash”, deklaroi ai.
Trump zbuloi se trajtimi i çështjes së Kubës i është besuar sekretarit të Shtetit dhe këshilltarit për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Marco Rubio.
“Është një djalë shumë i mirë dhe i talentuar. Quhet Marco”, u shpreh ai.
Rubio, i cili ka origjinë kubaneze, është ndër kritikët më të ashpër të qeverisë së Havanës dhe ka luajtur një rol qendror në hartimin e politikës amerikane ndaj ishullit.
Gjatë muajve të fundit, presidenti amerikan ka shtuar deklaratat kërcënuese ndaj Kubës, duke e cilësuar qeverinë e saj si një kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Madje, ai ka deklaruar se synon ta “marrë” vendin, pa shpjeguar se çfarë nënkupton konkretisht me këtë deklaratë apo se si mund të realizohej një synim i tillë.
Kuba, me një popullsi prej rreth 9,4 milionë banorësh, ndodhet nën embargon amerikane që prej vitit 1962, ndërsa nga janari i vitit 2026 administrata Trump ka ashpërsuar ndjeshëm sanksionet.
Kufizimet ndaj furnizimit me karburant kanë krijuar kushte të një bllokade de facto të naftës, duke përkeqësuar krizën e rëndë ekonomike dhe energjetike me të cilën përballet vendi.
Kuba po përjeton ndërprerje të përsëritura dhe në shkallë të gjerë të energjisë elektrike, pasi mungesa e karburanteve rëndon edhe më tej një rrjet elektrik që tashmë has vështirësi për të përmbushur nevojat e popullsisë.
Paralelisht, Uashingtoni po shpall njëri pas tjetrit paketa të reja sanksionesh kundër ndërmarrjeve shtetërore, rrjeteve ekonomike dhe zyrtarëve kubanë, duke shtuar presionin ndaj udhëheqjes së vendit.







