Është mbyllur Asambleja e Partisë Socialiste që u thirr këtë të shtunë në Gjirin e Lalzit, në fokus të së cilës ishte përgatitja për zgjedhjet lokale të 9 Majit.
Kryeministri Edi Rama vazhdon t’i besojë Ogerta Manastirliut, drejtimin politik të qarkut e Tiranës, ndërsa konkretisht për bashkinë e kryeqytetit, do të jenë përgjegjës dhe Albana Koçiu dhe Ervin Demo. Nga ana tjetër, Taulant Balla do të jetë drejtues politik për bashkitë e tjera të qarkut të Tiranës.
Ndryshe nga sa u raportua fillimisht se në fund të mbledhjes do të kishte një votim për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës, një gjë e tillë nuk ndodhi, ndërsa asnjë prej protagonistëve nuk ka folur deri tani për mediat e pranishme.
Pas përfundimit të punimeve për mediet foli Blendi Klosi, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, i cili konfirmoi dhe emrat për Tiranën, që pritet të jetë dhe Bashkia më e luftuar në zgjedhjet e 9 Majit. Sa i takon debateve mes Ramës dhe Spiropalit dhe përjashtimit të kësaj të fundit me votë nga anëtarësia, Klosi tha se Elisa Spiropali është anëtare e PS-së.







