Mbledhja me dyer të mbyllura e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste është shoqëruar me debate dhe përplasje mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali. Në qendër të diskutimeve ishte kërkesa e Ramës për përjashtimin e saj nga partia, pas qëndrimeve kritike të shprehura prej saj në javët e fundit.
Sipas burimeve nga mbledhja, kryesocialisti ka kërkuar që propozimi për përjashtimin e Spiropalit të hidhej në votim, duke nxitur një debat të drejtpërdrejtë mes tyre.
Gjatë përplasjes, Rama mësohet t’i jetë drejtuar Spiropalit me fjalët: “Nuk mund t’i gjuash shtëpisë tënde me gurë”. Deklarata thuhet se erdhi si përgjigje ndaj kritikave të saj për drejtimin e Partisë Socialiste dhe kërkesave për demokratizimin e strukturave të saj.
Por Spiropali nuk ishte e vetmja që u vu në shënjestër. Rama kërkoi gjithashtu përjashtimin e Plarent Ndrecës, ish-deputetit socialist dhe avokatit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Megjithatë, propozimet për përjashtimin e dy emrave nuk u kaluan për votim në Asamble. Si rrjedhojë, as Spiropali dhe as Ndreca nuk u përjashtuan nga PS-ja. Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Blendi Klosi, konfirmoi pas mbledhjes se Spiropali vijon të jetë anëtare e Partisë Socialiste.
Sipas burimeve nga mbledhja, kundër përjashtimit të Spiropalit janë shprehur edhe figura të tjera të PS-së. Fatmir Xhafaj ka propozuar një masë më të lehtë disiplinore, ndërsa deputeti Erion Braçe mësohet të jetë shprehur se “PS nuk është parti që përjashton anëtarët e saj”.
Në të njëjtën mbledhje u vendos edhe për drejtimin politik të Tiranës. Ervin Demo dhe Albana Koçiu do të jenë bashkëdrejtues të PS-së në Bashkinë e Tiranës, ndërsa Ogerta Manastirliu do të vijojë drejtimin politik të qarkut.







