Një tragjedi e rëndë ka tronditur Brazilin, ku një 3-vjeçare humbi jetën pasi u qëllua aksidentalisht nga motra e saj 5-vjeçare
Një ngjarje tragjike ka tronditur Brazilin, ku një vajzë vetëm 3-vjeçare humbi jetën pasi u qëllua aksidentalisht me armë zjarri nga motra e saj 5-vjeçare. Vogëlushja më e madhe, e cila nuk e kuptoi rrezikun e armës që kishte gjetur, pas të shtënës iu drejtua të atit me fjalët rrëqethëse: “Më fal, babi”.
Viktima u identifikua si Olivia Melo Moreira. Ngjarja ndodhi të dielën, më 8 nëntor, në banesën e familjes në Guaratiba, në pjesën perëndimore të Rio de Janeiros. Pavarësisht se u transportua me urgjencë në spital, vogëlushja nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
Sipas dëshmisë së babait para autoriteteve, gjithçka nisi në orët e para të mëngjesit, kur nëna e fëmijëve vuri re se porta e garazhit ishte e hapur. Duke dyshuar se dikush mund të kishte hyrë në pronë, ajo njoftoi bashkëshortin, i cili mori pistoletën dhe doli për të kontrolluar ambientet.
Pasi nuk konstatoi praninë e ndonjë personi të dyshimtë, ai u kthye në banesë, por në vend që ta siguronte armën, e la atë mbi banakun e kuzhinës, brenda këllëfit, dhe u kthye të flinte.
Pak kohë më vonë, prindërit u zgjuan nga zhurma e një të shtëne me armë zjarri. Kur shkuan të kontrollonin se çfarë kishte ndodhur, gjetën vajzën e tyre 3-vjeçare të plagosur rëndë. Sipas raportimit të medias braziliane Itatiaia, motra 5-vjeçare vrapoi drejt të atit dhe i tha: “Më fal, babi, më fal, babi”.
Fëmija e plagosur u dërgua menjëherë në Spitalin Bashkiak Rocha Faria, në zonën e Campo Grande. Sipas drejtuesve të spitalit, ajo mbërriti në gjendje arresti kardiorespirator. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta rikthyer në jetë, Olivia ndërroi jetë pak pas mbërritjes në spital.
Sipas raportimeve të mediave vendase, motra 5-vjeçare kishte marrë pistoletën dhe po e manipulonte atë, duke e trajtuar si një lodër, kur ndodhi shkrepja aksidentale. Në momentin e ngjarjes, prindërit ndodheshin në dhomën e tyre duke fjetur.
Policia Ushtarake u njoftua pasi vogëlushja u paraqit në spital me plagë nga arma e zjarrit, ndërsa hetimet iu besuan Departamentit të Vrasjeve të Kryeqytetit (DHC), pjesë e Policisë Civile të Rio de Janeiros. Prindërit u morën në pyetje dhe arma u sekuestrua për ekspertizë.
Mediat braziliane raportojnë se babai kishte regjistrim si koleksionist armësh, qitës sportiv dhe gjuetar, një status i njohur në Brazil me shkurtesën CAC. Ai e kishte armën në mënyrë të ligjshme, por autoritetet po hetojnë rrethanat se si ajo u la në një vend ku mund të arrihej lehtësisht nga fëmijët.
Sipas CNN Brasil, babai iu nënshtrua edhe një ekzaminimi për të zbuluar gjurmë të mundshme të qitjes në duar ose trup, por rezultati nuk evidentoi mbetje të tilla. Ai mund të përballet me përgjegjësi penale për vrasje nga pakujdesia dhe mosmarrjen e masave të nevojshme për të penguar aksesin e një të mituri në armë zjarri. Megjithatë, hetimet vijojnë dhe përgjegjësia përfundimtare do të përcaktohet nga organet e drejtësisë.
Ndërkohë, ngjarja ka rikthyer vëmendjen te rreziku i armëve të zjarrit në banesat ku jetojnë fëmijë të vegjël. Sipas të dhënave të institutit brazilian Fogo Cruzado, deri më 8 nëntor 2026, në rajonin metropolitane të Rio de Janeiros ishin regjistruar 14 fëmijë të moshës 0-11 vjeç të plagosur nga armët e zjarrit. Katër prej tyre humbën jetën, ndërsa dhjetë të tjerë mbetën të plagosur.







