HomeAktualitetNdahet nga jeta “Mjeshtri i Madh" Ramazan H. Bogdani, kush ishte personaliteti...

Ndahet nga jeta “Mjeshtri i Madh” Ramazan H. Bogdani, kush ishte personaliteti që i kushtoi jetën ruajtjes së valleve shqiptare?

Advertismentspot_img

U nda nga jeta në moshën 92-vjeçare “Mjeshtri i Madh”, një prej figurave që la gjurmë në kulturën shqiptare, ndërsa sot zhvillohet

Është ndarë nga jeta prof. dr. Ramazan H. Bogdani, një nga emrat e njohur të etnokoreografisë shqiptare, i cili ia kushtoi jetën studimit, dokumentimit dhe promovimit të valleve e traditave popullore shqiptare.

Prof. dr. Ramazan H. Bogdani u nda nga jeta ditën e hënë në moshën 92-vjeçare. Sipas njoftimit të Akademisë së Shkencave, ceremonia mortore do të zhvillohet sot, më 17 nëntor, ndërsa përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet në orën 12:00, në varrezat e Sharrës.

I vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, ai ndërtoi një karrierë të gjatë, fillimisht si valltar dhe koreograf, e më pas si studiues i etnokoreografisë dhe etnomuzikologjisë.

I lindur në Tiranë në vitin 1933, Bogdani kreu studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” gjatë viteve 1948-1952. Më pas vijoi formimin në Institutin Pedagogjik dyvjeçar “Aleksandër Xhuvani” dhe përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua në degën e Etnografisë.

Karrierën artistike e nisi që në moshë të re. Nga viti 1950 deri në vitin 1967 punoi si valltar solist dhe koreograf në Filarmoninë Shqiptare dhe në Teatrin e Operës dhe Baletit. Gjatë kësaj periudhe, ai kontribuoi në zhvillimin e artit koreografik shqiptar dhe në prezantimin e kulturës kombëtare në skenat ndërkombëtare, përmes turneve dhe festivaleve artistike ku grupet shqiptare u vlerësuan me çmime të shumta.

Në vitin 1967, Bogdani nisi një etapë të re të karrierës së tij, duke iu përkushtuar kërkimit shkencor në Institutin e Folklorit, e më pas në Institutin e Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Për shumë vite punoi si studiues dhe drejtoi Departamentin e Etnomuzikologjisë dhe Etnokoreologjisë.

Në këtë periudhë, ai zhvilloi ekspedita të shumta kërkimore në Shqipëri, Kosovë, trevat shqiptare në Maqedoni dhe në komunitetet arbëreshe në Itali. Përmes këtyre kërkimeve mblodhi, regjistroi dhe dokumentoi valle, tradita koreografike, elemente muzikore dhe të dhëna mbi bartësit e tyre, duke ndihmuar në ruajtjen e një pasurie të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Një pjesë e rëndësishme e punës së tij lidhet edhe me krijimin dhe sistemimin e një dokumentacioni të gjerë shkencor. Në një studim të botuar mbi arkivin e Institutit të Kulturës Popullore, Bogdani evidentonte 31 dosje të përzgjedhura nga ekspeditat kërkimore të zhvilluara gjatë viteve 1969-2003, si dhe një material të pasur filmik e fotografik për vallet popullore shqiptare.

Gjatë karrierës së tij botoi një sërë veprash studimore, të cilat mbeten referenca në fushën e etnokoreografisë. Ndër botimet më të njohura janë:

  • “Vallet e Lunxhërisë” (1995)
  • “Gjurmime koreografike” (1995)
  • “Vallëzimi popullor shqiptar: lirika” (1997)
  • “Visare etnokoreografike: fshatrat e Tiranës” (2003)
  • “Etnokoreografi kosovare hasjane” (2005)
  • “Etnokoreografi” (2008)

Përmes punës së tij shumëvjeçare, Ramazan H. Bogdani u bë një nga studiuesit e rëndësishëm të valleve dhe traditave koreografike shqiptare. Ai nuk u kufizua vetëm në studimin e tyre, por u angazhua edhe në mbledhjen dhe dokumentimin e kësaj trashëgimie, duke krijuar materiale me vlerë për studiuesit dhe brezat e ardhshëm.

Ndarja e tij nga jeta shënon humbjen e një personaliteti që i kushtoi dekada të tëra ruajtjes dhe promovimit të kulturës popullore shqiptare.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular