Serverët online të PlayStation kanë ndaluar së funksionuari në momentin e lançimit të video-lojës Grand Theft Auto 6 në mbarë botën.
Mijëra persona janë ankuar se nuk mund të lidheshin online për të luajtur lojën, ndërsa ajo bëhej e disponueshme në zonat e tyre kohore.
Dita e lançimit të GTA 6 është 19 nëntori, kur lojtarët mund të fillojnë të luajnë. Megjithatë, kjo ndodh në mesnatë sipas zonës kohore lokale të përdoruesit, që do të thotë se lojtarët në Azi, për shembull, kishin mundësi të hynin në lojë më herët.
Loja e re nuk ka ende një modalitet për shumë lojtarë. Por, Sony kërkon që konzolat të jenë gjithsesi të lidhura në internet, pasi kjo lidhje shërben për të verifikuar nëse loja është blerë në mënyrë të ligjshme dhe nëse është e disponueshme për t’u luajtur në atë moment.
Problemet filluan rreth orës 18:00, sipas faqes së internetit “Down Detector”, e cila monitoron ndërprerjet e shërbimeve. Këto probleme u pasqyruan shkurtimisht edhe në faqen zyrtare të Sony-t për statusin e shërbimeve.
Sipas “Down Detector”, problemet u vërejtën në shkallë globale, përfshirë edhe në vendet ku GTA 6 nuk ishte ende e disponueshme në atë moment.
Megjithatë, rreth 45 minuta më vonë, problemet duket se u zgjidhën dhe numri i raportimeve ra ndjeshëm. Në momentin e publikimit të këtij lajmi, faqja zyrtare e Sony-t nuk tregonte asnjë problem.
GTA 6 pritet të jetë një nga lançimet më të mëdha në fushën e argëtimit për këtë dekadë, e ndoshta edhe më i popullarizuari në historinë e lojërave video. Ofruesit e shërbimeve të internetit dhe kompanitë e lojërave kanë deklaruar se kanë ndërmarrë një sërë masash për të siguruar që popullariteti i jashtëzakonshëm, dhe ngarkesa e madhe që kjo sjell për serverët dhe rrjetet online, të mos i pengojë lojtarët të hyjnë në lojë.







