Nga Bujar Leskaj
Pse mbrojtja e parimeve është më e rëndësishme se “kalkulimet politike” dhe pragmatizmi pa kufij?
Një nga dilemat më të rëndësishme të politikës është raporti ndërmjet parimeve dhe kalkulimeve politike. A duhet një parti, një forum politik apo një individ të ruajë qëndrueshmërinë ndaj bindjeve dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar, edhe kur kjo mund t’i kushtojë politikisht, apo duhet t’i përshtatë qëndrimet sipas interesave të momentit, mundësive elektorale dhe aleancave që premtojnë përfitime afatshkurtra dhe ngadonjëherë rrezikojnë të jenë jo shumë të qëndrueshme?
Një parti politike nuk përcaktohet vetëm nga programi elektoral, drejtuesit apo numri i votave që siguron. Ajo përcaktohet, mbi të gjitha, nga parimet që përfaqëson, vlerat që mbron dhe kufijtë moralë që nuk pranon të kapërcejë. Janë pikërisht parimet busulla që orientojnë vendimmarrjen politike, aksionin politik, mesazhin politik dhe alternativën politike. Në veçanti, janë parimet ato tek të cilat kthehemi në situata të vështira, kur, në shumicën e rasteve, interesat e çastit bien ndesh me bindjet tona themelore.
Një parti që ndryshon vazhdimisht qëndrimet për të përfituar politikisht mund të fitojë përkohësisht hapësirë, si lëvizje me karakter mekanik, por gradualisht humbet identitetin. Sa më shumë largohet nga parimet, aq më shumë zbehet identiteti i saj. Një forcë politike nuk duhet të krijojë parime të reja apo të shpikë artificat në funksion të interesave të momentit; ajo duhet të mbështetet gjithmonë te parimet dhe vlerat e saj themelore. Nëse një parti apo forum politik shkëputet nga parimet, për hir të kalkulimeve të ngushta politike të momentit, ajo nuk perceptohet më si një alternativë e dallueshme politike, por si një subjekt që përshtatet me çdo rrethanë, me çdo partner dhe me çdo raport force.
Në këtë kuptim, parimet janë themeli mbi të cilin duhet të ndërtohet edhe suksesi politik dhe prej të cilit duhet të burojë fitorja e vërtetë. Historia na ka mësuar se suksesi i një formacioni politik vjen vetëm atëherë kur respektohen parimet e tij, vetëm atëherë kur ato vlerësohen dhe zbatohen në të gjithë veprimtarinë e tij. Kjo sepse, në thelb, parimet janë oksigjeni i vërtetë i një force politike dhe jo rrethanat apo interesat e ngushta, të cilat mund ta largojnë atë prej tyre.
Në asnjë moment një forcë politike nuk duhet të sakrifikojë bindjet, vlerat dhe qëndrimet e saj themelore, të cilat përbëjnë spektrin e parimeve mbi të cilat ajo mbështetet, në funksion të përfitimeve elektorale, aleancave të çastit apo interesave afatshkurtra. Kalkulimi mund të përcaktojë rrugën, por nuk duhet të ndikojë në ndryshimin e drejtimit.
Suksesi i çdo partie apo formacioni politik qëndron pikërisht në respektimin e parimeve të veta. I gjithë aksioni politik, drejtimi, lidershipi dhe alternativa e saj duhet të orientohen rreth këtyre parimeve dhe të udhëhiqen prej tyre. Në çdo rast tjetër, kur një forcë politike shkëputet nga ky themel, krijohen edhe më shumë vështirësi për të qenë e suksesshme.
Për të ilustruar tezën se forca e parimit duhet të prevalojë mbi forcën e kalkulimit politik dhe se parimet nuk të lënë asnjëherë në baltë, kam zgjedhur si shembull të parë periudhën 1997–2005 në historinë e Partisë Demokratike, një periudhë që përmbledh sfidën e ruajtjes së identitetit, rikthimit te vlerat themelore dhe rindërtimit politik pas një krize të thellë kapilare. Periudha 1997–2005 përbën një nga momentet më domethënëse në historinë e Partisë Demokratike, pasi dëshmon se rikthimi te parimet dhe besnikëria ndaj vlerave themelore janë kushtet mbi të cilat ndërtohet ringritja dhe suksesi politik. Pas një periudhe të errët, të shoqëruar me humbje të thella elektorale, krizë politike dhe dobësim të besimit publik, Partia Demokratike u përball me sfidën e rindërtimit të identitetit të saj politik. Ky proces nuk mund të realizohej përmes përshtatjeve të momentit apo kalkulimeve të ngushta elektorale, por përmes rikthimit te parimet themelore, konsolidimit të tyre dhe ndërtimit të një alternative politike të qartë, të dallueshme dhe të besueshme. Pikërisht ruajtja dhe riafirmimi i këtyre parimeve, përmes një procesi gradual ringritjeje dhe konsolidimi politik, krijuan kushtet që në vitin 2005 Partia Demokratike të rikthehej në pushtet. Ky është një leksion i vyer politik: një forcë politike mund të kalojë periudha të vështira, mund të pësojë humbje dhe të përjetojë kriza, por nëse ruan identitetin e saj, rikthehet te vlerat që e themeluan dhe ndërton mbi to alternativën e saj, mund ta shndërrojë krizën në një pikënisje për fitoren. Dhe ky leksion që Partia Demokratike ka dhënë, e cila u ngrit si “feniksi nga hiri”, le të jetë busulla jonë më e mirë e ilustruar në këtë shkrim modest, në respekt të parimeve të kësaj force politike.
Besueshmëria politike ndërtohet mbi koherencën ndërmjet asaj që deklaron dhe asaj që bën. Interesat mund të negociohen, por dinjiteti, përgjegjësia dhe standardet morale nuk mund të bëhen objekt pazaresh. Pazari kurrsesi nuk mund te zevendesoj parimin.
Parimet dhe zbatimi apo respektimi i tyre janë A-ja e çdo formacioni politik, veçanërisht e forcave të mëdha politike, me peshë të konsiderueshme elektorale dhe, aq më tepër, e atyre forcave që kanë qenë edhe forca qeverisëse.
Nga ana tjetër, kalkulimi politik mbetet një mjet i rëndësishëm dhe pjesë e natyrshme e demokracisë. Shëndeti i një force politike matet edhe nga mënyra se si ajo vlerëson dhe përdor të gjithë komponentët dhe mekanizmat që politika vë në dispozicion, siç janë raportet e forcës, mundësitë elektorale, interesat e përfaqësuara dhe nevoja për kompromis. Të gjitha këto janë të domosdoshme, por ekziston një vijë tejet e hollë që ndan zbatimin dhe respektimin e parimeve nga moszbatimi apo anashkalimi i tyre. Për më tepër, kjo vijë ndarëse, shpeshherë e padukshme, prodhon një tjetër dallim thelbësor: atë midis pragmatizmit politik dhe oportunizmit, si forma të kalkulimit politik.
Pragmatizmi është aftësia për të zgjedhur mjetet më të përshtatshme për të realizuar qëllime të drejta.
Oportunizmi është gatishmëria për të ndryshuar qëllimet, bindjet dhe standardet për të përfituar nga rrethanat.
Pragmatizmi nuk e përjashton moralin; ai e vendos atë në raport me realitetin. Oportunizmi, përkundrazi, e konsideron moralin pengesë kur ai bie ndesh me interesin e momentit.
Këtu qëndron rreziku më i madh: kur çdo vendim justifikohet me nevojën për të fituar zgjedhjet, për të ruajtur pushtetin, për të siguruar një aleancë apo për të dobësuar kundërshtarin, atëherë politika humbet kriteret e saj të pavarura të gjykimit dhe rrëshqet drejt oportunizmit. Ky i fundit bëhet një derivat i drejtpërdrejtë i kalkulimeve të gabuara politike dhe, njëkohësisht, një nga format më problematike të mosrespektimit dhe anashkalimit të parimeve.
Një subjekt politik e ka të nevojshme, madje jetike, të bëjë kalkulime politike dhe të dijë të përfitojë nga rrethanat dhe mundësitë që krijohen në momente të caktuara. Por kjo duhet të ndodhë gjithmonë brenda kufijve të parimeve që përfaqëson dhe pa cenuar vlerat e tij themelore. Kalkulimi politik duhet të shërbejë si instrument për realizimin e objektivave, jo si arsye për të braktisur parimet. Pikërisht këtu qëndron dallimi midis një force politike që vepron me pragmatizëm, si forëm pozitive e kalkulimit të dobishëm politik dhe një force që bie pre e oportunizmit.
Është relativisht e lehtë të mbrosh parimet kur ato përputhen me interesat e tua politike. Vështirësia e vërtetë shfaqet kur mbrojtja e tyre kërkon sakrifica.Kur një parti duhet të zgjedhë ndërmjet një aleance fitimprurëse dhe integritetit të saj; kur një forum duhet të zgjedhë ndërmjet heshtjes së leverdishme dhe reagimit ndaj padrejtësisë; kur një individ duhet të zgjedhë ndërmjet një përfitimi personal dhe bindjeve të veta, atëherë shfaqet karakteri i vërtetë politik.
Parimet kanë kuptim pikërisht sepse vendosin kufij mbi atë që jemi të gatshëm të bëjmë për të fituar.Nëse ato braktisen sapo shfaqet një mundësi përfitimi, atëherë nuk kemi të bëjmë me parime, por me deklarime të kushtëzuara nga interesi.
Ilustrimi më i mire i kësaj pike mbetet procesi i rithemelimit të Partisë Demokratike në periudhën 2021–2023. Thelbi i këtij procesi ishte rikthimi te parimet themelore, te vlerat dhe te identiteti politik i partisë, në një moment kur ajo përballej me një krizë të thellë përfaqësimi dhe identiteti. Rithemelimi u mbështet pikërisht te bindja se parimet nuk mund të negociohen apo të sakrifikohen për hir të kalkulimeve të çastit, interesave afatshkurtra apo kompromiseve që cenojnë identitetin politik. Suksesi i tij, në këtë këndvështrim, qëndron në faktin se u konceptua si një proces riafirmimi i parimeve dhe jo si një përshtatje oportuniste ndaj rrethanave. Ai dëshmoi se pragmatizmi politik nuk duhet të nënkuptojë kompromis me bindjet themelore dhe se një forcë politike mund të ndërtojë identitetin dhe legjitimitetin e saj pikërisht duke mos hequr dorë nga parimet, edhe kur kjo zgjedhje shoqërohet me kosto politike. Në fund të fundit, rithemelimi nuk kishte si qëllim thjesht riorganizimin e strukturave, por riafirmimin e një identiteti politik mbi bazën e parimeve që e përcaktojnë atë.







