Marrëveshja e paqes për Rripin e Gazës rrezikon të dështojë nëse Izraeli dhe Hamasi nuk angazhohen sërish për respektimin e kushteve të dakordësuara gjatë negociatave. Paralajmërimi vjen nga Bordi i Paqes, sipas agjencisë së lajmeve Bloomberg, e cila i referohet raportit të dytë të këtij institucioni drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në dokument theksohet se procesi i paqes në Gaza nuk mund të përparojë pa plotësimin e disa kushteve kryesore. Mes tyre përmendet dislokimi i një force ndërkombëtare stabilizimi në enklavë, përmbushja e angazhimeve nga ana e Izraelit dhe dorëzimi i armëve nga Hamasi.
Bordi i Paqes paralajmëron se një armëpushim që nuk sjell rezultate konkrete nuk mund të mbahet në fuqi pafundësisht.
“Një armëpushim që nuk prodhon asnjë rezultat të prekshëm nuk mund të ruhet pafundësisht. Nëse ai shembet, nuk do të ketë më asnjë udhërrëfyes ku mund të rikthehemi dhe asnjë kontekst të favorshëm për rindërtimin”, thuhet në raport.
Sipas dokumentit, dështimi i marrëveshjes do të rrezikonte jo vetëm vijimin e procesit të paqes, por edhe krijimin e kushteve të nevojshme për rindërtimin e Gazës.







