HomeAktualitetAkuzat e Spiropalit, Drejtori i Tatimeve: Deputetja ka bërë evazion të përmasave...

Akuzat e Spiropalit, Drejtori i Tatimeve: Deputetja ka bërë evazion të përmasave të mëdha në bizneset familjare, kërcënoi inspektorët

Advertismentspot_img

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, ka reaguar ndaj akuzave të deputetes socialiste Elisa Spiropali për presione të pretenduara nga institucionet ndaj familjarëve të saj, duke i cilësuar ato si një sulm mediatik.

Përmes një reagimi të publikuar në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Binaj i ka kërkuar Spiropalit të mos e përmendë emrin e tij, duke theksuar se është një nëpunës i ndershëm i shtetit dhe se nuk merret me politikë.

Në reagimin e tij, Binaj ka ngritur akuza ndaj deputetes Spiropali dhe bashkëshortit të saj, duke pretenduar se Administrata Tatimore është vendosur nën presion të paligjshëm prej tyre, në interes të bizneseve familjare të Spiropalit, teksa janë “evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha”.

Sipas Binajt, për këto pretendime ekzistojnë fakte të verifikueshme, si dhe denoncime të depozituara pranë organeve ligjzbatuese.

Deklaratë publike e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj:

Unë jam një qytetar shqiptar që i jam përgjigjur thirrjes për t’i shërbyer vendit pas vitesh në SHBA, ku kam punuar në fushën e auditimit financiar.

Nga data 23 shtator 2024, kur kam marrë telefonatën e ministrit të Financave, e deri më sot, nuk e kam takuar kurrë personalisht zonjën Belinda Balluku, përveç takimeve publike për shkak të detyrës.

Sot kam vendosur të bëj këtë deklarim publik, pas një sulmi mediatik që më ka ardhur, jo për herë të parë, nga deputetja Elisa Spiropali.

Ajo që zonja deputete nuk tha, është se Administrata Tatimore e Republikës së Shqipërisë është vendosur nën një presion të paligjshëm nga deputetja në fjalë dhe bashkëshorti i saj, për llogari të bizneseve familjare.

Administrata Tatimore, në funksion të mbledhjes së të ardhurave dhe luftës ndaj evazionit, ka ushtruar kontrolle në sektorin e ndërtimit, në përputhje me planet e saj strategjike dhe operacionale. Kontrollet e ushtruara, bazuar në analizën e riskut apo denoncimet e qytetarëve, kanë përfshirë edhe subjekte që lidhen me znj. Spiropali.

Rezultatet qartazi nuk janë pëlqyer nga zonja dhe bashkëshorti i saj dhe, si pasojë, janë kërcënuar inspektorët tatimorë, madje edhe familjet e tyre. Për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese. Procedura është e gjitha e dokumentuar dhe gjetjet e inspektimit janë tejet shqetësuese.

Kontrollet e ushtruara kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha. Për këtë arsye dhe pa asnjë lloj përjashtimi diskriminues, por sipas procedurave tatimore të ndjekura me të gjithë tatimpaguesit e dyshuar për evazion, dosjet po u referohen organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme.

I kërkoj znj. Spiropali të mos e përmendë më emrin tim, sepse unë jam një nëpunës i ndershëm i shtetit që nuk merret me politikë dhe nuk lejoj askënd të cenojë dinjitetin tim dhe të familjes sime për shkak të detyrës.

Znj. Spiropali, si ish-drejtoreshë e Doganave, duhet ta kishte të qartë se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore.

Dr. Ilir Binaj, CPA, CGMA

Drejtor i Përgjithshëm 

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
Advertismentspot_img
RELATED ARTICLES
Advertismentspot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular